Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë zbatimit të planit operativ “Ditët e Veprimit të Përbashkët – JAD Global Chain 2026”, të realizuar nga 8 deri më 12 qershor në koordinim me EUROPOL-in, INTERPOL-in dhe FRONTEX-in, janë arrestuar gjithsej 15 persona, janë mbyllur 19 lokale dhe qendra masazhi për shkelje administrative, ndërsa nuk është identifikuar asnjë rast i veprës penale të trafikimit me njerëz.
Sipas Policisë, gjatë operacionit janë evidentuar shtatë raste ku u arrestuan shtatë gra, të cilat u hasën duke kërkuar lëmoshë me fëmijët e tyre në rrugë dhe sheshe. Në bashkëpunim me Qendrat për Punë Sociale, për 13 fëmijë janë iniciuar raste për dyshimin e veprës penale “Keqtrajtim apo braktisje e fëmijës”.
Po ashtu, janë evidentuar katër raste të kundërvajtjes “Marrje me prostitucion” në kuadër të eskortës, ku u arrestuan tetë persona, përkatësisht katër burra nga Kosova dhe katër gra, dy shtetase të Brazilit dhe dy të Kolumbisë.
Gjatë aksionit, Policia inspektoi 59 lokale me muzikë live, ku u kontrolluan 420 persona, prej tyre 234 shtetas të huaj. Gjashtë lokale rezultuan të mbyllura, ndërsa nëntë të tjera u mbyllën nga inspektorët e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për shkelje administrative.
Gjithashtu, u kontrolluan 62 qendra masazhi, ku u hasën 104 persona, përfshirë 45 shtetase të huaja. Nga këto, 10 qendra u mbyllën për shkelje administrative.
Policia thekson se gjatë kontrolleve, të gjitha punëtoreve të hasura në lokalet me muzikë, qendrat e masazhit dhe rastet e eskortës u është ofruar mundësia të deklarojnë nëse janë viktima të ndonjë forme të shfrytëzimit apo trafikimit me njerëz, por nuk është identifikuar asnjë rast i tillë.
Në realizimin e planit operativ morën pjesë njësitë relevante të Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me inspektorët e MINT-it, Administratën Tatimore të Kosovës, Inspektoratin e Punës dhe Qendrat për Punë Sociale.








