Përpunuesit e qumështit kërkojnë ndaljen e “luftës ndaj prodhuesve vendorë”

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka mbajtur takim me përfaqësuesit e Shoqatës që merren me përpunimin e qumështit, ku është diskutuar për situatën e fundit në sektorin e qumështit pas inspektimeve dhe zhvillimeve rreth kompanisë “Vita”.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, tha se institucionet duhet të angazhohen për hapjen e tregjeve të reja për produktet vendore dhe jo të krijojnë perceptim negativ për cilësinë e tyre.

“Në vend që ti si institucion publik, si shtet, si Qeveri, të angazhohesh me shpërthy tregun, që të mësosh që produktet e qumështit mund të shiten dhe në tregun e Bashkimit Evropian. Ti po bën të kundërtën, po e krijon perceptimin që prodhimet tona nuk janë sipas standardeve, nuk janë kualitative. A në fakt është e kundërta. Produkte më të mira, më kualitative nuk ke në asnjë vend jo të rajonit, por ndoshta edhe në vendet e Bashkimit Evropian. Dhe unë jam dëshmitar gjatë vizitave të mia në shumë fabrika. Në këtë rast edhe te fabrika ‘Vita’, unë teknologjinë që e kam parë dhe rendin, mënyrën e punës, unë nuk e kam parë as në Evropë atë. Kam shëtitur shumë fabrika, kam pas rastin me i vizitu edhe në Evropë, nuk i kam parë. Dhe ky është shqetësimi i jonë. Edhe një herë po e theksoj, si Odë Ekonomike jemi për me respektu ligjin. Mirëpo kjo qasje, jo. Kjo qasje nuk duhet ndaj prodhimit, ndaj prodhimit vendor. Duhet me ndihmu fermerin, duhet me ndihmu përpunuesin, duhet me ndihmu prodhuesin. Se na ka kalu tash 7 miliardshin importi. Kurse eksporti është duke na ra. Edhe këtë pak prodhim që e ki, nuk po e trajton mirë. Si po vjen investitorët e huaj me ardhë me investu kur ti tëndin nuk po e trajton mirë, në vendin tënd këtu”, tha ai.

Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve, Kushtrim Ajvazi, tha se rritja e prodhimit vendor ka ndikuar në uljen e importeve dhe bëri thirrje për mbështetje të prodhimeve vendore.

“Edhe në statistika shihet që, falë rritjes së prodhimit cilësor dhe vendor, edhe kemi arritur edhe me dominu pjesën e importit. Duhet të vazhdojmë me atë po ashtu që me u konsumu sa më shumë produkte vendore, se produktet tona janë me një siguri të lartë e sipas standardeve edhe ndërkombëtare. Dhe apeli jonë është që për të gjithë, posaçërisht politikën, mos t’i dëmtojnë prodhuesit vendorë duke aluduar në termet e tyre se nuk ka prodhim cilësor në Kosovë. Kosova ka prodhim cilësor dhe duhet t’i konsumojmë, dhe ky është apeli im”, tha ai.

Fermeri Fidan Krasniqi tha se dëmet e shkaktuara ditëve të fundit janë të mëdha për prodhuesit e qumështit.

“Ne kemi derdhë qumësht, është e vërtetë, nuk kemi derdhë qumësht për dëshirë, por prej hallit. Ju them me sinqeritetin më të madh, që nga dita e premte vetëm ferma jem se 10 mijë litra qumësht i ka humbur. Andaj, e mbështesim çdo iniciativë të mirë, por jo luftën hibride që është duke u shkaktuar, qoftë edhe prej institucioneve, institucionet tona publike po na luftojnë për momentin. Është krijuar ideja që ne jemi duke prodhuar helm. Kjo është diçka që unë, me pasur mundësi, kisha ardhur me një rekomandim prej këtij takimi, që urgjentisht të nxirret një ligj, kjo është vepër penale, çka është duke ndodhur. Duhet me kuptuar, ka ardhur puna edhe delegatët e Kuvendit tonë të Kosovës, marrin vota prej popullit dhe dalin neve na kritikojnë. Mund të vihet deri në një konfrontim edhe fizik, pse jo? Nuk është normale që ne quhemi palaço ose quhemi ne me gjuhë denigruese. Kjo është industri shumë e fortë. Andaj çdo deklaratë publike e institucioneve, e delegatëve të Kuvendit, duhet të jetë shumë e kujdesshme sepse jemi duke prodhuar. Kështu e zhvillojmë vendin, nuk e zhvillojmë vendin aty ku po lufton hibride ky, ai. Ne nuk jemi duke e mbrojtur kompaninë Devolli, ne po e mbrojmë Vitën”, tha ai.

Drejtori i përgjithshëm i kompanisë “Vita”, Artan Spahija, tha se kompania nuk është kundër inspektimeve dhe se gjatë ditës së djeshme janë marrë mostra për analiza.

“Kurse dje prapë kemi pas vizitë, ne nuk jemi kundër vizitës. Me datën shtatë shtator kanë ardhë dy veta dhe i kanë marrë 6 mostra. Kurse atë ditë kur kanë ardhë e kanë marrë vetëm një, domethënë kjo e kanë pa me sytë e vet. Vetëm një mostër e kanë marrë. Qumështi 3.2. Çka do të thotë? Prej dy, i marrin 6 mostra, në 17 vetëm një mostër”, tha ai.

Ai tha se kompania ka informuar institucionet për eksportet dhe aktivitetin e saj edhe para inspektimeve të fundit.

“Ai i ka informatat se brendi Holla aktualisht është prezent në Maqedoni, Shqipëri, Mal të Zi, Bosnje e Hercegovinë, Turqi dhe Bullgari. Këtë email e ka nga 13 maji. Ai thotë që nuk është e vërtetë. I ka dhe sasitë dhe artikujt që i ka në email. Ne s’kemi mshef, më 13 maj prapë e theksoj, kanë ardhë më 2 korrik, po ne i kemi dërgu vetë më 13 maj. Po ashtu, kemi dërguar edhe grumbullimin e qumështit ndër vite, se po thotë po shtihet shumë qumësht pluhur edhe vaj palme. Kompania jonë në vitin 2023, 14 milionë litra ka marrë qumësht prej fermerëve. Në vitin 2024, 14 milionë, ndërsa në vitin 2025, 19 milionë litra. Ministër, bënu edhe tregoj popullit që nuk i keni të vërteta ato çka i the. Edhe ministër, trego që këshilltarja jote e ka qenë në vizitë, janë videot, janë kamerat që ka qenë pjesëmarrëse në çdo cep të fabrikës brenda. Besoni që prej 20 milionëve kemi ra në 10 milionë. Nëse bijnë nga 10 milionë, 5 milionë”, tha ai.