Kolapsi i heshtur: Anatomia e një sistemi arsimor në degradim

Fejton analitik- Pjesa e dytë

 Shkolla pa mjete, shteti pa prioritet

“Nëse mendoni se arsimi është i shtrenjtë, provoni injorancën.”
— Derek Bok—

Shkruan: Burim Gjaka

Në çdo shtet që synon zhvillim të qëndrueshëm, buxheti është dokumenti më i sinqertë politik. Programet qeverisëse mund të ndryshojnë, fjalimet mund të jenë frymëzuese dhe strategjitë mund të shkruhen me gjuhë ambicioze, por vetëm mënyra se si shpërndahen fondet publike tregon prioritetet reale të një shteti.

Pikërisht këtu fillon një nga paradokset më të mëdha të arsimit në Kosovë.

Në diskursin politik, arsimi shpallet vazhdimisht si prioritet kombëtar. Në praktikë, megjithatë, një pjesë e konsiderueshme e shkollave vazhdojnë të funksionojnë në kushte që nuk përputhen me kërkesat e një arsimi bashkëkohor. Ky kontrast ndërmjet retorikës dhe realitetit nuk është më vetëm problem administrativ; ai është pasojë e mënyrës se si është ndërtuar vetë financimi i arsimit parauniversitar.

Një shkollë nuk ndërtohet vetëm me mure, çati dhe banka. Ajo ndërtohet me laboratorë funksionalë, kabinete të pajisura, biblioteka të pasura, teknologji moderne, hapësira sportive, mjete didaktike dhe ambiente që krijojnë dinjitet për mësimdhënësin dhe nxënësin. Kur këto mungojnë, procesi mësimor nuk zhvillohet në kushtet që kërkon ekonomia dhe shoqëria e shekullit XXI.

Megjithatë, problemi nuk lidhet vetëm me mungesën e investimeve. Ai fillon shumë më herët: te mënyra se si financohen vetë shkollat.

Kur formula prodhon pabarazi

Një nga problemet më pak të diskutuara të arsimit parauniversitar në Kosovë është formula e financimit të shkollave. Aktualisht, një pjesë e konsiderueshme e financimit operacional bazohet në numrin e nxënësve, ndërsa shkollat përfitojnë edhe një grant bazë vjetor për funksionimin e tyre.Në teori kjo formulë synon barazi. Në praktikë, ajo ka prodhuar pabarazi.

Shkollat me numër të vogël nxënësish, veçanërisht ato në zonat rurale, janë ndër më të goditurat. Me rreth 27 euro në vit për nxënës dhe një grant bazë prej rreth 1.500 eurosh, shumë institucione arsimore e kanë të pamundur të mbulojnë nevojat elementare të funksionimit, e lëre më të investojnë në laboratorë, kabinete, pajisje teknologjike apo mjete bashkëkohore të mësimdhënies.

Kjo nuk është çështje komoditeti, është çështje cilësie.

Është e pamundur të kërkosh mësimdhënie moderne në laboratorë që nuk funksionojnë, të flasësh për kompetenca digjitale aty ku mungojnë pajisjet bazë teknologjike apo të pretendosh zhvillim të mendimit kritik kur nxënësi nuk ka qasje në burime bashkëkohore të dijes.

Kur komunat paguajnë fakturën

Problemet financiare nuk përfundojnë me formulën e grantit. Analiza e fundit e Institutit GAP ka evidentuar se mbi 3.100 mësimdhënës nuk financohen nga granti i arsimit për vitin 2026, duke krijuar një barrë shtesë prej më shumë se 24 milionë eurosh për komunat. Kjo do të thotë se një pjesë e konsiderueshme e buxheteve komunale përdoret për të mbuluar paga që nuk financohen nga granti qeveritar. Për pasojë, komunave u mbeten më pak mjete për investime në infrastrukturë, laboratorë, biblioteka, mirëmbajtje, pajisje didaktike dhe zhvillimin e përgjithshëm të shkollave.

Situata rëndohet edhe më shumë nga detyrimet financiare që burojnë nga zbatimi i Kontratës Kolektive. Edhe pse marrëveshjet kolektive janë arritur në nivel qendror, një pjesë e konsiderueshme e barrës financiare ka rënë mbi komunat. Në shumë raste, mosrealizimi në kohë i këtyre obligimeve ka prodhuar procese gjyqësore dhe procedura përmbarimore, përmes të cilave nga buxhetet komunale janë ekzekutuar miliona euro. Kjo nuk është vetëm çështje financash. Çdo euro që ekzekutohet përmes përmbarimit është një euro më pak për laboratorët, bibliotekat, kabinetet, pajisjet mësimore, mirëmbajtjen e objekteve shkollore apo investimet që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e arsimit.

Pabarazi fillon në bankën e shkollës

Në shumë shkolla të Kosovës, sidomos jashtë qendrave urbane, infrastruktura mbetet një sfidë serioze. Ka objekte që kanë nevojë për renovim të thellë, laboratorë që ekzistojnë vetëm në inventar, biblioteka me fonde të kufizuara dhe pajisje teknologjike që nuk i përgjigjen më kërkesave të mësimdhënies moderne. Mirëpo ka edhe shkolla që ju mungojnë të gjitha këto.

Në disa raste, investimi përfundon me prerjen e shiritit inaugurues. Por arsimi nuk ndërtohet me ceremoni. Një laborator i pajisur sot, pa mirëmbajtje dhe përditësim të vazhdueshëm, pas pak vitesh humbet funksionin e tij. Një kabinet informatike me pajisje të vjetruara nuk mund t’i përgatisë nxënësit për tregun modern të punës. Përvoja ndërkombëtare e ka dëshmuar se cilësia nuk ndërtohet vetëm përmes reformave ligjore. Ajo ndërtohet përmes investimeve të qëndrueshme, planifikimit afatgjatë dhe standardeve të barabarta për çdo shkollë. Sepse një fëmijë nuk duhet të ketë mundësi më të vogla për të mësuar vetëm pse jeton në një fshat apo në një komunë me kapacitete më të kufizuara financiare.

Kur prioritetet maten me buxhet

Në këtë pikë lind pyetja më e rëndësishme: Nëse arsimi është vërtet prioritet kombëtar, pse shumë shkolla vazhdojnë të luftojnë për të siguruar kushtet më elementare të funksionimit?

Problemi nuk është vetëm sa para ndahen. Problemi është si ndahen. Buxheti nuk është thjesht një tabelë me shifra. Ai është pasqyra më e sinqertë e prioriteteve të një shteti.Një shtet serioz nuk ndërton vetëm shkolla. Ai ndërton mundësi të barabarta. Sepse pabarazitë që fillojnë në bankat e shkollës nuk përfundojnë aty. Ato vazhdojnë në universitet, në tregun e punës, në mirëqenien ekonomike dhe në mundësinë që një i ri të ndërtojë të ardhmen në vendin e tij.

Kur arsimi financohet me logjikën e mbijetesës, cilësia bëhet rastësi.

Ndërsa një shtet që e lë cilësinë në dorë të rastësisë, në të vërtetë po lë në dorë të rastësisë edhe të ardhmen e vet.

________________________________________________________________

Në pjesën e tretë, nesër mund të lexoni;” Kur mësuesi mbijeton, arsimi nuk përparon”

A mund të ndërtohet një sistem arsimor cilësor pa mësimdhënës të motivuar, të respektuar dhe të mbështetur profesionalisht? Çfarë ndodh kur profesioni që formon të gjitha profesionet e tjera humbet prestigjin dhe sigurinë? Në pjesën e ardhshme do të analizojmë pozitën e mësimdhënësit, zhvillimin profesional, sistemin e vlerësimit dhe sfidat që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e arsimit.