Kajtazi: Bastisja e VITA-s ishte urdhër pushtetit për të goditur Devollin që nuk i nënshtrohet

Gazetari Vehbi Kajtazi ka reaguar ashpër pas inspektimit të kryer në qumështoren VITA, duke e cilësuar aksionin si një ndërhyrje politike që, sipas tij, nuk ka të bëjë me mbrojtjen e shëndetit publik, por me sulmin ndaj pronarit të kompanisë.

Në një postim në rrjetet sociale, Kajtazi e krahason qasjen e Qeverisë aktuale me atë të Qeverisë Hoti, duke kujtuar se gjatë mandatit të ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, ishte ndaluar importi i barnave që nuk prodhoheshin ose nuk kishin certifikim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian apo Britania e Madhe.

Sipas tij, kjo ndalesë u hoq pas ardhjes në pushtet të Qeverisë Kurti, ndërsa sot, pretendon ai, tregu është i mbushur me barna të dyshimta, duke përmendur rastin e infuzionit të prodhuar në Indi që, sipas raportimeve, u gjet me myk në Spitalin e Mitrovicës.

Duke iu referuar inspektimit në VITA, Kajtazi pretendon se bastisja është urdhëruar për motive politike dhe se është zbatuar nga persona që, sipas tij, nuk kanë interes për mbrojtjen e konsumatorëve.

“Nuk e kanë hallin as vajin e palmës dhe as qumështin pluhur. E kanë me pronarin, Blerim Devolli, i cili nuk u nënshtrohet”, shkruan Kajtazi.
Ai e lidh rastin edhe me përplasjet e mëhershme të pushtetit me Klan Kosovën, duke pretenduar se synimi është ushtrimi i presionit ndaj bizneseve dhe mediave që nuk i binden qeverisë.

Sipas Kajtazit, VITA është prodhuesi më i madh i qumështit në Kosovë dhe grumbullon rreth gjysmën e qumështit të fermerëve vendas, ndaj çdo goditje ndaj saj, sipas tij, prek edhe prodhuesit vendorë dhe sektorin e bujqësisë.

Në fund të reagimit, gazetari akuzon Qeverinë se po përdor institucionet shtetërore për të goditur kundërshtarët dhe bizneset që nuk i nënshtrohen pushtetit, duke pretenduar se qëllimi nuk është mbrojtja e shëndetit publik, por ushtrimi i presionit politik.