Anulohet vendimi i KGJK-së, gjyqtarja Mejreme Memaj fiton rastin në gjykatë për anëtare të Këshillit

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur në favor të gjyqtares Mejreme Memaj në një konflikt administrativ kundër Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), duke e cilësuar të kundërligjshëm raundin e dytë të votimit për zgjedhjen e dy anëtarëve të rinj të KGJK-së nga radhët e Gjykatës Supreme dhe duke urdhëruar certifikimin e rezultatit të raundit të parë.

Rasti lidhet me procesin zgjedhor të mbajtur më 23 janar 2026, kur 34 nga 35 gjyqtarë të Gjykatës Supreme morën pjesë në votim për dy pozita në Këshill. Në raundin e parë, nga 34 fletëvotime, 33 ishin të vlefshme dhe një i pavlefshëm. Mejreme Memaj dhe Rrustem Thaqi kishin marrë nga 17 vota secili, ndërsa Bashkim Hyseni dhe Franciska Zhitia-Ymeri nga 16 vota.

Komisioni zgjedhor kishte konstatuar se asnjë kandidat nuk kishte arritur shumicën e nevojshme dhe kishte vazhduar me raundin e dytë të votimit. Në atë raund, Rrustem Thaqi dhe Franciska Zhitia-Ymeri kishin marrë nga 19 vota secili, ndërsa Mejreme Memaj dhe Bashkim Hyseni nga 15 vota, pas së cilës KGJK i kishte certifikuar Thaqin dhe Zhitia-Ymerin si anëtarë të rinj.

Mejreme Memaj, e përfaqësuar nga avokati Besnik Berisha, kishte paraqitur padi më 18 shkurt 2026, duke kërkuar anulimin e vendimit të KGJK-së të 29 janarit 2026 me të cilin ishte certifikuar rezultati përfundimtar i raundit të dytë.

Ajo kishte kërkuar gjithashtu që të njihej si i vlefshëm vetëm rezultati i raundit të parë, sipas të cilit ajo dhe Rrustem Thaqi duhej të shpalleshin fitues.

Memaj kishte argumentuar se në raundin e parë kishte fituar 51.52% të votave të vlefshme dhe se shumica duhej të llogaritej vetëm mbi votat e vlefshme, jo mbi votat e pavlefshme apo numrin total të pjesëmarrësve.

Sipas padisë, Komisioni zgjedhor kishte vepruar në mënyrë arbitrare kur kishte vendosur kalimin në raundin e dytë, duke shkelur Rregulloren për procedurën dhe kriteret e zgjedhjes së anëtarëve të KGjK-së dhe praktikat kushtetuese të përmendura në rastet KI34/17 dhe KI55/17.

Memaj kishte theksuar se ajo dhe Rrustem Thaqi kishin arritur shumicën e nevojshme në raundin e parë dhe se vendimi për të vazhduar me raund të dytë i kishte mohuar një të drejtë të fituar në proces zgjedhor.

Ajo kishte kërkuar gjithashtu pezullimin e zbatimit të vendimit të KGjK-së, duke argumentuar se ekzekutimi i tij do të shkaktonte dëm të pariparueshëm në integritetin profesional dhe të drejtat e saj kushtetuese.

KGjK kishte kundërshtuar padinë, duke pretenduar se shumica e nevojshme për zgjedhje ishte 18 vota dhe se kjo shumicë llogaritej mbi numrin e përgjithshëm të pjesëmarrësve në votim, përfshirë edhe votën e pavlefshme.

Sipas KGjK-së, asnjë kandidat nuk e kishte arritur këtë shumicë në raundin e parë, prandaj kalimi në raundin e dytë ishte i domosdoshëm dhe në përputhje me rregulloren.

Edhe personi i tretë, Franciska Zhitia-Ymeri, kishte mbështetur qëndrimin e KGjK-së, duke theksuar se vota e pavlefshme nuk mund të përjashtohej nga baza e llogaritjes së shumicës dhe se procesi ishte zhvilluar në mënyrë të rregullt dhe kushtetuese.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka konstatuar se kërkesëpadia e Mejreme Memajt është e bazuar.

Në aktgjykim thuhet se interpretimi i KGjK-së për mënyrën e llogaritjes së shumicës ka qenë i gabuar dhe se nuk ka pasur bazë të mjaftueshme ligjore për zhvillimin e raundit të dytë të votimit.

Gjykata ka vlerësuar se në raundin e parë është krijuar rezultat i vlefshëm, ku Mejreme Memaj dhe Rrustem Thaqi kanë marrë nga 17 vota dhe kanë plotësuar kushtet për t’u konsideruar të zgjedhur.

Po ashtu, gjykata ka anuluar vendimet e KGjK-së nr. 38/2026 dhe nr. 39/2026 të datës 29 janar 2026, përfshirë edhe certifikimin e rezultatit të raundit të dytë.

Sipas aktgjykimit, KGjK obligohet që brenda 15 ditësh të nxjerrë vendim të ri administrativ dhe të certifikojë rezultatin e raundit të parë, sipas të cilit Mejreme Memaj dhe Rrustem Thaqi shpallen anëtarë të KGJK-së nga radhët e Gjykatës Supreme.

Gjykata ka urdhëruar gjithashtu KGJK-në që t’i kompensojë Mejreme Memajt shpenzimet e procedurës në vlerë prej 2,750.34 euro.

Vendimi nuk është i formës së prerë dhe ndaj tij lejohet ankesë në Gjykatën e Apelit brenda afatit ligjor prej 15 ditësh.

Gjyqtarja Mejreme Memaj kishte paditur Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGjK), duke kërkuar anulimin e vendimit me të cilin ishte certifikuar rezultati zgjedhor për dy anëtarë të Këshillit nga shkalla e tretë. Memaj kishte paraqitur edhe kërkesë për masë të sigurisë – pezullimin e zbatimit të vendimit të 29 janarit 2026.

Nga certifikimi i rezultatit zgjedhor, KGjK-ja kishte konstatuar se anëtarë të rinj të Këshillit nga radhët e Supremes janë Rrustem Thaqi dhe Franciska Zhitija-Ymeri. Dy të fundit ishin zgjedhur në raundin e dytë. Andaj, paditësja Memaj kërkon të certifikohet rezultati që doli nga raundi i parë dhe që ajo dhe Thaqi të zgjidhen anëtarë pasi kanë marrë shumicën e kërkuar të votave, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aty thuhet se më 23 janar 2026 u zhvillua procesi zgjedhor, në të cilin nga 35 gjyqtarë me të drejtë vote, të pranishëm ishin 34 gjyqtarë nga Supremja, dhe se nga 34 fletëvotime vetëm një u shpall i pavlefshëm. Dhe pas numërimit, Memaj kishte marrë 17 vota sa edhe Rrustem Thaqi, kurse nga 16 Bashkim Hyseni dhe Franciska Zhitia-Ymeri.

Ndryshe, në mbledhjen e mbajtur më 29 janar 2026, Këshilli kishte hudhur si i palejuar kundërshtimin e paraqitur nga kandidatja për anëtare të KGJK-së nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme, Mejreme Memaj, duke u certifikuar kështu rezultati zgjedhor i mbajur në këtë gjykatë dhe atë të Apelit.

Sipas kryesuesit Albert Zogajt, gjyqtarët Rrustem Thaqi dhe Franciska Zhitia-Ymeri fillojnë mandatin si anëtarë të KGjK-së më 9 mars 2026 nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme, ndërkaq gjyqtarja Afërdita Bytyqi po ashtu fillon mandatin më 9 mars 2026, për anëtare nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit,

Ndryshe, procesi votimit për anëtarë ishte mbajtur më 23 janar 2026, ku pas përfundimit të raundit të dytë të votimit për dy anëtarët e rinj nga radhët e Supremes, gjyqtari Rrustem Thaqi dhe gjyqtarja Franciska Zhitia-Ymeri u zgjodhën anëtarë të rinj, duke nisur një mandat 5-vjeçar.