Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka treguar se ka zhvilluar një bisedë telefonike me ish-presidentin Hashim Thaçi.
Ai ka bërë me dije se me Thaçin ka diskutuar për Kosovën, familjet, miqtë dhe qytetarët që, sipas tij, nuk kanë reshtur së besuari në rikthimin e ish-krerëve të UÇK-së.
Në profilin e tij në Facebook, Hamza ka thënë se gjatë bisedës është folur edhe për pritjen e gjatë të përfundimit të procesit gjyqësor në Hagë, duke vlerësuar se vonesat e vazhdueshme në shpalljen e aktgjykimit e kanë rënduar edhe më shumë këtë pritje.
“Drejtësia mund të vonohet, por nuk duhet të tjetërsohet”, ka theksuar Hamza, duke shprehur bindjen se më 16 shtator drejtësia do të vihet në vend dhe Presidenti Thaçi, së bashku me bashkëluftëtarët e tij, do të kthehen të lirë në Kosovë.
Sipas kreut të PDK-së, gjatë bisedës ai i ka përcjellë Presidentit Thaçi përshëndetjet, mbështetjen dhe pritjet e qytetarëve të Kosovës, ndërsa ka bërë të ditur se edhe Presidenti Thaçi ka kërkuar që përshëndetjet e tij më të përzemërta t’u përcillen të gjithë qytetarëve.
“Me qetësinë dhe besimin që e karakterizon, bisedën e përfunduam me shpresën se shumë shpejt do të shihemi në Kosovë”, ka shkruar Hamza.







