PDK: Me shtyrjen e re, Gjykata Speciale e thelloi padrejtësinë ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Partia Demokratike e Kosovës ka shprehur indinjatën e saj për shtyrjen e radhës së shpalljes së aktgjykimit në rastin kundër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Pas gati gjashtë vitesh paraburgim dhe një procesi gjyqësor disa vjeçar, kjo nuk është më një vonesë procedurale, por një zvarritje e pajustifikueshme që cenon besimin në drejtësi dhe rëndon padrejtësisht mbi ish-udhëheqësit e UÇK-së, familjet e tyre dhe qytetarët e Kosovës”, thuhet në reagimin e PDK-së.

Përmes këtij reagimi, PDK tha se çdo zvarritje e konsideron të papranueshme dhe kërkon që aktgjykimi të bazohet vetëm në ligj, në faktet e vërtetuara gjatë procesit gjyqësor dhe në standardet më të larta të drejtësisë, duke u larguar nga çdo pretendim i pabazuar që është ngritur gjatë këtij procesi.

“Partia Demokratike e Kosovës rithekson se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte një luftë e drejtë dhe çlirimtare, e zhvilluar për lirinë e popullit të Kosovës dhe e mbështetur nga bota demokratike. Kjo e vërtetë historike nuk mund të zhbëhet nga asnjë proces gjyqësor dhe as të relativizohet nga zvarritjet e vazhdueshme. Partia Demokratike e Kosovës kërkon përfundimin e kësaj padrejtësie shumëvjeçare dhe pret që drejtësia të vihet në vend, në mënyrë që ish-udhëheqësit e UÇK-së të kthehen të lirë në Kosovë, pranë familjeve dhe qytetarëve të vendit”.