Pacolli i përgjigjet Kajtazit për mesazhin në WhatsApp, i ik pyetjeve kryesore

Behgjet Pacolli ka refuzuar sërish të japë përgjigje në pyetjet kryesore për prapaskenat e kredisë 100 milionëshe të kompanisë së tij, Mabco Constructions me fondin investues Delphos Securities SARL.

Ka disa muaj prej se ish-ministri i Jashtëm i Kosovës është përfshirë në telashe në Shqipëri, ku Aeroportin e Vlorës të marrë si koncension nga shteti e ka bërë pjesë të një skeme të dyshimtë financiare.

Të mërkurën, një ditë pasi Vehbi Kajtazi publikoi një mesazh që pranoi nga Pacolli në WhatsApp, bashkë me një analizë që ngre shumë pikëpyetje për veprimet e Pacollit në raport me Aeroportin e Vlorës, pronari i Mabco-s i është përgjigjur publikisht gazetarit.

Pacolli, nuk ka dhënë përgjigje për pothuajse asnjë nga çështjet e ngritura nga Kajtazi, përfshirë skemën e dyshimtë të lënies peng të Aeroportit te një fond investues “fiktiv”. Ka zgjedhur të sulmojë Kajtazin. E ka quajtur “joprofesional” e “joserioz”.

Sërish, nuk ka kthyer përgjigje në pyetjen kryesore: “kush qëndron prapa kredisë 100 milionëshe?”.

 

“Analiza juaj është e dobët, e pasaktë, joprofesionale dhe e mbushur me interpretime tendencioze”, shkroi Pacolli. Ai tha se Kajtazi nuk është ekspert i financave ndërkombëtare, i strukturimit të kredive apo i financimit të projekteve të mëdha, duke shtuar se një gazetar serioz nuk ndërton narrativa mbi hamendësime, por mbi dokumente, fakte dhe verifikime, por ndërkohë Pacolli nuk shpalosi asnjë dokument që e vërteton të kundërtën.

Pacolli po ashtu tha se nuk tërheq asnjë fjalë nga ajo që ia kishte shkruar gazetarit në SMS dhe e këshilloi atë t’u kthehet standardeve të profesionit dhe Kodit Etik të gazetarisë. Por reagimit të Pacollit iu kundërpërgjigj sërish Kajtazi.

Gazetari Kajtazi i është kundërpërgjigjur me pyetje.

Ai, në një postim në Facebook, tha se në reagimin e Pacollit nuk kishte gjetur asnjë përgjigje për pyetjet konkrete që kishte ngritur.

Ai përsëriti pyetjet se kush janë investitorët fillestarë pas Compartment Bernina, cili është burimi i fondeve prej 100 milionë eurosh, pse Vlora International Airport u bë “Additional Borrower” dhe pse llogaritë operative të saj u vendosën si garanci në favor të huadhënësit.

“Këto nuk janë hamendësime. Janë çështje që dalin nga vetë dokumentet”, shkroi Kajtazi. Ai shtoi se debati nuk zgjidhet me sulme ndaj gazetarëve, por me dokumente, duke i kërkuar Pacollit që t’i bëjë publike investitorët, burimin e fondeve dhe aprovimet përkatëse.

“Deri atëherë, pyetjet qëndrojnë”, përfundoi Kajtazi.