Komisioni Evropian ka bërë të ditur se anëtarësimi i Malit të Zi në Bashkimin Evropian do të kushtojë rreth 3 miliardë euro gjatë periudhës së ardhshme buxhetore të bllokut.
Sipas raportimit të Politiko, vendi i Ballkanit Perëndimor, i cili synon të bëhet anëtar i BE-së në vitin 2028, pas anëtarësimit pritet të përfitojë fonde nga subvencionet bujqësore dhe pagesat rajonale nga buxheti qendror i Bashkimit Evropian.
Një zyrtar i lartë i Komisionit Evropian, i cili ka folur në mënyrë anonime, ka deklaruar se kostoja do t’u shtonte mesatarisht rreth një euro në periudhën buxhetore 2028-2034 për çdo tatimpagues në BE, duke e quajtur këtë “një shpenzim shumë të vogël”.
Buxheti i ardhshëm i BE-së, i vlerësuar në rreth dy trilionë euro dhe që pritet të hyjë në fuqi në fillim të vitit 2028, do të pësojë rregullime për të përfshirë kostot e zgjerimit me anëtarë të rinj.
Komisioni ka paraqitur tashmë propozimin financiar për integrimin e Malit të Zi, i cili duhet të miratohet nga shtetet anëtare para nisjes së negociatave përfundimtare financiare mes Brukselit dhe Podgoricës, shkruan Index.
Ndërkohë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se ky paketim financiar është një hap konkret drejt së ardhmes së Malit të Zi në Bashkimin Evropian.
Mali i Zi, me rreth 600 mijë banorë, ka status kandidati për anëtarësim në BE që nga viti 2010. Megjithatë, zyrtarët e BE-së vlerësojnë se anëtarësimi i plotë deri në fillim të vitit 2028 mbetet i vështirë.
Sipas vlerësimeve, Mali i Zi pritet të kontribuojë rreth 500 milionë euro në buxhetin e BE-së gjatë shtatë viteve të ardhshme, ndërsa do të përfitojë rreth 3.1 miliardë euro, përfshirë fonde për bujqësi, zhvillim rural, migracion dhe konkurrueshmëri ekonomike.
Komisioni vlerëson se kostoja neto e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor do të arrijë rreth 8 miliardë euro gjatë periudhës së ardhshme shtatëvjeçare. Përveç Malit të Zi, në procesin e negociatave për anëtarësim janë edhe vende të tjera të rajonit, përfshirë Shqipërinë, Serbinë, Bosnje e Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën.








