Një person ndalohet në Leposaviq, tre persona raportojnë se u sulmuan fizikisht dhe iu dëmtua vetura

Policia e Kosovës ka njoftuar se një person është ndaluar në Leposaviq, pasi dyshohet për përfshirje në një rast të rrahjes dhe dëmtimit të pronës, i cili ka ndodhur në orët e para të së hënës.

Sipas raportit policor, rasti ka ndodhur më 29 qershor, rreth orës 01:00, kur njësitë policore gjatë patrullimit kanë hasur në tre persona, të cilët kanë deklaruar se ishin sulmuar fizikisht nga disa persona të panjohur.

“Njësiti policor gjatë patrullimit kanë hasur tri viktimat meshkuj kosovarë, të cilët kanë deklaruar se ishin sulmuar fizikisht nga disa persona të panjohur, të cilët ua kishin dëmtuar edhe veturën”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Si pasojë e sulmit, tre personat kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë marrë trajtim mjekësor.

Policia ka bërë të ditur se në lidhje me rastin është paraqitur një i dyshuar, shtetas i Kosovës, i cili është intervistuar nga organet e rendit.

“Lidhur me rastin është paraqitur i dyshuari mashkull kosovar, i cili pas intervistimit, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje”, njofton policia.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit janë duke vazhduar.