Derisa Komuna e Fushë Kosovës e ka arsyetuar gjendjen e emergjencës me krizën e mbeturinave, një tender në vlerë prej 710 mijë eurosh për blerjen e automjeteve komunale ka ngritur dyshime për mënyrën se si është zhvilluar procedura e prokurimit.
Dokumentet e siguruara nga KIKS Kosova tregojnë se, përveç përdorimit të një afati të shkurtuar për ofertim, dosja e tenderit përmban edhe specifikime teknike që mund të kufizojnë konkurrencën. Në fund të procedurës, në garë kanë mbetur vetëm dy operatorë ekonomikë.
Bëhet fjalë për tenderin “Blerja e kamionëve për grumbullim të mbeturinash, fshisë për pastrimin e rrugëve dhe cisternë për zhbllokim të kanalizimeve”, me vlerë të parashikuar prej 710 mijë eurosh. Në një kontratë të vetme janë përfshirë katër kategori të ndryshme pajisjesh, ndërsa autoriteti kontraktues ka vendosur që procedura të mos ndahet në lote.
Mosndarja në lote është një nga elementet kufizuese, pasi vetëm kompanitë që mund të furnizojnë të gjitha kategoritë e automjeteve kanë pasur mundësi të konkurrojnë për të gjithë tenderin.
Një tjetër element lidhet me afatet. Njoftimi për kontratë është publikuar më 3 qershor, ndërsa afati për dorëzimin e ofertave ka qenë më 24 qershor. Komuna ka përdorur procedurën me afat të shkurtuar, duke e arsyetuar këtë me nevojën urgjente për sigurimin e shërbimeve komunale. Megjithatë, gjendja emergjente për mbeturinat është shpallur vetëm më 13 qershor, pra dhjetë ditë pas publikimit të tenderit.
Ligji për Prokurimin Publik përcakton se për kontratat e mëdha në procedurë të hapur afati për pranimin e ofertave duhet të jetë jo më pak se 40 ditë, ndërsa në këtë rast Komuna e Fushë Kosovës ka caktuar një afat prej vetëm 21 ditësh.
Dokumentacioni përmban edhe specifikime teknike që mund të kufizojnë konkurrencën. Në dosjen teknike për autofshisën vakum kërkohet, ndër të tjera, “transmision manual ZF me minimum gjashtë shpejtësi”. ZF është markë tregtare ndërkombëtare e prodhuesit të transmisioneve, ndërsa në dokumentacion nuk figuron formulimi “ose ekuivalent”, që zakonisht përdoret për të shmangur favorizimin e një marke apo prodhuesi të caktuar.
Gjatë zhvillimit të procedurës, operatori ekonomik N.P.T. Haxhijaha Sh.P.K. paraqiti kërkesë për rishqyrtim, duke pretenduar se disa nga kriteret ishin të panevojshme dhe kufizonin konkurrencën. Ndër të tjera, kompania kundërshtoi kërkesën për garancion nga operatori dhe prodhuesi njëkohësisht, autorizimin ekskluziv nga prodhuesi për servisimin, si dhe kërkesën që certifikatat e konformitetit të dorëzoheshin që në fazën e ofertimit.








