Nga origjina italiane e Lionel Messit te familja, Antonella dhe pasionet e tij; gjithçka që duhet të dini për gjeniun argjentinas.

1. Origjina
Messi ka rrënjë nga rajoni Italian i Marche. Në vitin 1893, stërgjyshi i tij Angelo Messi emigroi me bashkëshorten Maria drejt Rosarios nga Recanati, qyteti i poetit Giacomo Leopardi. Nga ana e nënës, stërgjyshi Raniero Coccettini u largua nga San Severino Marche në vitin 1899. Një kushëri i largët, Leandro, vazhdon të jetojë në Marche dhe punon si marangoz. Falë paraardhësve italianë, familja “Messi” tentoi fillimisht të siguronte pasaportën italiane, përpara asaj spanjolle. Në vitin 2019, bashkia e Recanati i dërgoi në Barcelonë certifikatën zgjedhore si “rezident jashtë vendit”, pasi e kishte ftuar disa herë të vizitonte qytetin e të parëve të tij.

2. Prindërit
Babai i tij, Jorge Messi, u martua me Celia Cuccittini më 17 qershor 1978, gjatë Kupës së Botës të zhvilluar në Argjentinë. Jorge punonte në një fabrikë çeliku, ndërsa Celia si punonjëse shtëpiake. Sipas rrëfimeve familjare, një ditë pas martesës ata shkuan në stadiumin e Rosarios për të ndjekur ndeshjen Argjentinë-Brazil, e cila përfundoi 0-0. Vetëm një javë më vonë, Argjentina fitoi për herë të parë Kupën e Botës, duke mposhtur Holandën 3-1 në finale. Messi ka dy vëllezër më të mëdhenj, Rodrigo dhe Matias, si dhe motrën më të vogël Maria Sol. Të tre punojnë sot pranë tij.

3. Antonella
Historia e dashurisë mes Lionel dhe Antonella Roccuzzo nisi që në fëmijëri. Ata njihen që kur Messi ishte vetëm 5 vjeç, pasi shoku i tij më i mirë, Lucas Scaglia, është kushëri i Antonella. Messi dhe Lucas luajtën së bashku te Newell’s Old Boys. Dashuria lindi gjatë adoleshencës, ndërsa lidhja u bë publike në vitin 2007. Çifti u martua në Rosario më 30 qershor 2017.

4. Fëmijët
Lionel dhe Antonella kanë tre djem: Thiago (2012), Mateo (2015) dhe Ciro (2018). Emri Ciro u zgjodh si homazh për këngëtarin argjentinas Horacio Demian Pertusi, lider i grupit punk “Jauria”. Të tre djemtë luajnë në akademinë e Inter Miami. Thiago dhe Mateo janë sulmues, ndërsa Ciro po eksperimenton ende role të ndryshme në futboll.

5. Skuadra e zemrës
Messi, ashtu si familja e tij, është tifoz i Newell’s Old Boys, skuadra ku nisi rrugëtimin futbollistik pas hapave të parë te Grandoli, ekipi i lagjes ku trajnohej nga babai. Kur lindi në spitalin italian “Giuseppe Garibaldi” të Rosarios, një xhaxha i dhuroi fanellën e tij të parë të futbollit.

6. Kushëriri boksier
Messi ka lidhje të largëta familjare me ish-boksierin italian Luca Messi, i lindur në Bergamo në vitin 1975 nga një familje me origjinë nga Recanati. Kampion italian në kategorinë “Welter” në vitin 2002, ai e mbylli karrierën në vitin 2015 me 50 ndeshje dhe 38 fitore. Pas “pensionimit” provoi të hynte në politikë, por pa sukses. Dy Messi-t u takuan në Milano në vitin 2012 gjatë një eventi, ku pozuan së bashku me doreza boksi.

7. Dieta
Një nga sekretet e jetëgjatësisë sportive të Messit është stili i jetesës. Ai zgjohet zakonisht mes orës 06:00 dhe 07:00 dhe rrallë fle pas orës 23:30. Dieta e tij bazohet në pesë shtylla kryesore: ujë, vaj ulliri ekstra i virgjër, drithëra integrale, fruta të freskëta dhe perime organike. Ai shmang sheqernat e shtuara dhe miellin e rafinuar. Konsumon pak mish të kuq, përveç asado-s tradicionale argjentinase, duke preferuar mish të bardhë, peshk dhe proteina bimore. Nuk pi Coca-Cola apo pije të gazuara dhe konsumon rregullisht mate, pijen tradicionale argjentinase me veti antioksiduese.

8. Miqtë
Mes miqve më të afërt të Messit në futboll janë Rodrigo De Paul dhe Luis Suarez. Të dy iu bashkuan në Miami për të luajtur vitet e fundit të karrierës pranë tij. Një mik i hershëm është edhe Cesc Fabregas, trajneri aktual i Comos. Të dy u rritën së bashku në akademinë “La Masia” të Barcelonës. Fabregas ka treguar se Messi ishte shumë i turpshëm gjatë viteve të trajtimit hormonal për rritjen. “Mendonim se ishte memec… Më pas u çlirua falë PlayStation-it dhe një udhëtimi në Itali”, – ka thënë ai. Në vitin 2002, në turneun “Maestrelli” të Pizës, Messi u shpall lojtari më i mirë i kompeticionit dhe mbante fanellën me numrin 14 të Johan Cruyff.

9. Pasionet
Messi nuk ka qenë kurrë i dhënë pas jetës mondane, por është një adhurues i madh i muzikës. Ai dëgjon artistë argjentinas dhe që në moshë të re u bë fans i Eros Ramazzottit. Në vitin 2016, këngëtari italian e vizitoi në qendrën stërvitore të Barcelonës. “Ishte një nder të njihja idhullin tim”, – shkroi Messi në Instagram. Libri i tij i preferuar është Bibla. Ai dhe familja e tij janë katolikë të devotshëm.

10. Moda dhe bamirësia
Si një nga sportistët më të famshëm në botë, Messi ka bashkëpunuar me markat më prestigjioze të modës. Në vitin 2013 ai pozoi si model për mikun e tij italian “Domenico Dolce”, nga “Dolce & Gabbana”. Projekti kishte si qëllim mbështetjen e Fondacionit Leo Messi në kërkimet kundër melanomës te fëmijët. Gjatë viteve, Messi është dalluar për angazhimin e tij humanitar dhe në vitin 2010 u emërua ambasador i UNICEF-it.

11. Të ardhurat
Sipas revistës “Forbes”, gjatë periudhës 2010-2019 Messi fitoi rreth 750 milionë euro nga pagat dhe sponsorizimet. Mes viteve 2019 dhe 2022 ai rezultoi sportisti më i paguar në botë, duke lënë pas emra si Tiger Woods, LeBron James, Floyd Mayweather dhe Cristiano Ronaldo. Aktualisht, të ardhurat e tij vjetore luhaten mes 70 dhe 80 milionë dollarëve. Nga Inter Miami përfiton rreth 24/6 milionë euro në vit.
The post Një kushëri marangoz në Marche, një tjetër boksier në Bergamo, spitali “Garibaldi”…, 11 sekretet e Leo Messit appeared first on Telesport.








