Çitaku për gazin amerikan: Është çështje për sigurinë kombëtare të Kosovës

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku ka reaguar lidhur me debatin që po zhvillohet për gazin amerikan.

Përmes, një postimi në profilin e saj në rrjetin social Facebook, Çitaku ka shkruar se debati për gazin amerikan nuk është debat për një projekt teknik, por debat për sigurinë kombëtare të Kosovës.

Sipas saj, Kosova sot po përballet me një nga momentet më të rëndësishme strategjike që nga shpallja e pavarësisë.

Postimi i saj i plotë:

Debati për gazin amerikan nuk është debat për një projekt teknik. Nuk është debat për një tubacion apo për një central energjetik. Ky është debat për sigurinë kombëtare të Kosovës.

Kosova po përballet me një nga momentet më të rëndësishme strategjike që nga shpallja e pavarësisë.

Në një botë ku siguria energjetike po bëhet po aq e rëndësishme sa siguria ushtarake, vendimet që marrim sot do të përcaktojnë jo vetëm mirëqenien e qytetarëve tanë, por edhe pozitën e Kosovës në hartën gjeopolitike të dekadave që vijnë.

Në botën e sotme, e cila po ndryshon vazhdimisht, pavarësia energjetike është pjesë e pavarësisë shtetërore. Luftërat moderne nuk zhvillohen vetëm me tanke dhe armë.

Ato zhvillohen me energji, me zinxhirë furnizimi, me kontroll mbi burimet strategjike dhe me aftësinë e një shteti për t’i mbrojtur qytetarët e vet nga krizat.

Prandaj, kur flasim për gazin amerikan, ne nuk flasim vetëm për energji. Ne flasim për siguri. Për ekonomi. Për diplomaci. Për partneritet strategjik. Për të ardhmen e Kosovës.

Fatkeqësisht, për vite me radhë, Lëvizja Vetëvendosje ka kundërshtuar pothuajse çdo projekt që do t’i siguronte Kosovës më shumë pavarësi energjetike. Fillimisht si opozitë, e më pas si qeveri. E shpeshherë edhe përmes formave të dhunshme.

Sot po e shohim rezultatin e kësaj politike.

Kosova po paguan energjinë më shtrenjtë se kurrë më parë. Importet e energjisë po rriten nga viti në vit. Bizneset po dëmtohen. Familjet po përballen me fatura gjithnjë e më të larta dhe gjithnjë e më të papërballueshme.

Ndërkohë, të gjitha vendet e rajonit po ndërtojnë lidhje të reja energjetike, po diversifikojnë furnizimin dhe po forcojnë sigurinë e tyre.

Vetëm Kosova ka mbetur jashtë.

Vetëm Kosova vazhdon të refuzojë një mundësi që aleati ynë më i madh strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e ka mbështetur vazhdimisht.

Partneriteti me SHBA-në nuk matet vetëm me deklarata. Ai matet me vendime konkrete. Me projekte konkrete.

Koha e izolimit duhet të marrë fund.

Kosova duhet të jetë pjesë e projekteve strategjike të Perëndimit, jo spektatore e tyre.