Deputetja e zgjedhur nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, ka thënë se për shkak të interesit të madh publik për projektin e gazit amerikan, e ka kontaktuar Ambasadën Amerikane dhe i është thënë se po përballen me qasje refuzuese nga Qeveria.
Ymeri në emisionin “Konfront” në KTV, është shprehur se Qeveria aktuale nuk mund t’i thotë jo Amerikës por do e shtyjë si projekt.
Ajo ka deklaruar se gazi amerikan nuk po i ofertohet për herë të dytë Kosovës dhe sipas Ymerit është e pakuptimtë të refuzohet kur dihet gjendja me energjinë elektrike.
“Nuk e ka asnjë arsye të justifikueshme për të mos e pranuar këtë projekt. Në diskutim e sipër, i kam shkruar ambasadës Amerikane për shkak të interesimit të madh, jam kontaktuar dhe është ajo që dihet edhe publikisht, po përballen me një qasje refuzuese. Dihet që Qeveria Kurti nuk e ka mundësinë gjeografike e as aleate të thotë jo se bëjmë asnjëherë por e shtyjnë pambarimisht dhe është një mundësi në ikje”, ka thënë Ymeri.
Sipas Ymerit refuzimin e gazit amerikan e bën edhe më të pakuptimtë fakti që Kosova ka importuar 1 miliard euro.
Derisa SHBA-ja ka kërkuar që Kosova të bëhet pjesë e projektit rajonal për gazin amerikan, Qeveria në detyrë ka dhënë një propozim tjetër. Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deponuar në Ambasadën Amerikane një kërkesë për mbështetje për projekte që lidhen me gazifikimin e qymyrit, duke u thirrur në rezervat e mëdha të linjitit dhe në politikat e presidentit Donald Trump për mbështetjen e industrisë së qymyrit.
Ndërkohë gjatë ditës, presidentja në detyrë, Albulena Haxhiu, ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk e ka refuzuar mundësinë e përfshirjes në projektin e gazit amerikan porse se vendimet për çështje të tilla duhet të merren pas diskutimeve dhe vlerësimeve të institucioneve përgjegjëse dhe ekspertëve të fushës.
Ajo ka shtuar se çështja e gazit nuk mund të reduktohet me përgjigje të thjeshta, pasi sipas saj, kërkohet analizë e plotë e kostove dhe përfitimeve për qytetarët e saj.








