LDK-ja kërkoi presidencën, Nagavci: Presim kandidat jopartiak

Ish-shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se diskutimet për çështjen e presidentit do të intensifikohen pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, duke bërë thirrje për përgjegjësi nga të gjithë deputetët dhe për gjetjen e një kandidati konsensual, raporton Ekonomia Online

E pyetur lidhur me deklaratat e LDK-së se marrëveshja për presidentin mund të arrihet nëse kjo pozitë i takon kësaj partie, Nagavci u shpreh se presin një kandidat jopartiak.

“Presim certifikimin e rezultateve edhe pastaj zhvillojmë me intensitet të shtuar diskutimet. Bëj thirrje te të gjithë deputetët që kanë marrë besimin e qytetarëve për të qenë pjesë e Kuvendit, që të sillen me përgjegjësi ndaj Kuvendit, ndaj institucioneve, ndaj qytetarëve që i kanë besuar që të jenë pjesë e Kuvendit dhe të mundësojmë kuorumin prej 80 deputetëve, në mënyrë që të zgjidhet presidenti apo presidentja e vendit. Kemi parë disa deklarata të emrave të përveçëm të kandidatëve të cilët kanë dëshirë të jenë presidentë apo presidente. Gjithsesi, ne presim të kemi një kandidat apo kandidate konsensuale, jo partiak, jo partiake, të cilët do të gëzojnë besoj edhe me kompetencë e përgjegjësi pozitën e tillë dhe rolin unifikues”, tha ajo.

E pyetur nëse Lëvizja Vetëvendosje do të propozojë një kandidat partiak për president, Nagavci tha se kjo mbetet çështje për diskutim, duke rikujtuar përpjekjet e mëhershme të subjektit për të arritur marrëveshje me partitë e tjera.

“Kjo gjë duhet të diskutohet. Ju e dini që edhe para zgjedhjeve të 7 qershorit, ne kemi kërkuar nga partitë e opozitës në atë kohë, edhe nga LDK-ja e PDK-ja, që të propozojnë emra konkretë. Ne kemi qenë të gatshëm që t’i japim nënshkrimet për të mandatuar kandidatët për president. Kemi qenë të gatshëm të bashkëqeverisim med LDK-në. Kemi qenë të gatshëm të lirojmë pozitën e kryetares së Kuvendit. Pra, kemi dhënë gjithçka që është në mandatin tonë, përkundër që numrat dhe forcat në Kuvend kanë qenë dukshëm në favorin tonë.

Por, jemi munduar që të shmangim një palë zgjedhje të reja edhe të funksionalizojmë institucionet e të vazhdojmë me punë të shumta, të cilat janë me rëndësi për qytetarët. Por ndodhja që ndodhi… ju e patë që nuk pati gatishmëri të deputetëve të partive të tjera, të cilët ishin në Kuvend, për të zgjedhur presidentin. Shkuam në zgjedhje, të cilat e rikonfirmuan edhe një herë se Lëvizja Vetëvendosje është subjekti i cili është më i madh, ka numrin më të madh të votave sesa të gjitha partitë e tjera bashkë, partitë shqiptare, përfshirë subjektin e dytë, të tretë e kështu me radhë. Andaj, unë besoj që deputetët do të respektojnë vullnetin e qytetarëve edhe do të angazhohen maksimalisht, sepse kemi shumë kohë të humbur e shumë prej ligjeve, marrëveshjeve ndërkombëtare e projekteve presin të shqyrtohen me prioritet. Ju faleminderit shumë.”

Nagavci shmangu komentet për emra të përveçëm, saktësisht për Ramush Haradinajn duke thënë se procesi duhet të fokusohet te interesi institucional dhe jo tek ambiciet personale.

“Po e them edhe një herë, unë nuk do të kisha dashur të flisja me emra të përveçëm. Është për mua, personalisht, pak absurde që një person — cilido qoftë ai — i cili ka folur fjalë të pavërteta dhe gjëra të cilat e di edhe vetë që nuk qëndrojnë për kryeministrin Kurti, tashmë të kërkojë që të marrë mbështetjen e kryeministrit Kurti. Dhe kjo tregon shumë edhe për atë që ka ndodhur përpara, por edhe për atë ku jemi tani.

Kështu që unë besoj dhe bëj thirrje që të gjenden disa emra konsensualë, sepse besoj që Kosova ka mjaftueshëm burra e gra me integritet, me etikë të lartë edhe personale, edhe profesionale, të cilët do ta ushtronin në mënyrë shumë të mirë pozitën e presidentit apo presidentes.

Ndaj duhet larguar, unë nuk po flas sot në emër të Lëvizjes me emra të përveçëm, por ajo që mund të them është që është koha që të mendojmë për institucionet, të mendojmë se si dalim prej këtij ngërçi politik edhe të lëmë anash vetëm ambiciet dhe interesat personale”, shtoi ajo