Rama publikon dokumentin e UÇK-së, detaje si i iku luftës Dritan Goxhaj

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se ka pranuar një dokument të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në të cilin raportohet se si Dritan Goxhaj nuk deshi të shkonte si ushtar i UÇK-së.

Rama ka publikuar dokumentin e nënshkruar nga komandanti Xheladin Gashi, i njohur me nofkën “Plaku”.

“Më 14 prill, 1999 në qendrën stërvitore të UÇK-së në Helshan, erdhën si vullnetar në luftën për çlirimin e Kosovës katër oficera të Ushtrisë Shqiptare dhe konkretisht, Arqile Mandro, Ermir Begaj, Driton Dyrmishaj dhe Agim Sallaku. I solli me një kerr Dritan Goxhaj. Ai është djali i Dylaver Goxhaj, aktualisht vullnetar në luftën e Kosovës, në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së si pjestar i këtij shtabi. Oficerët e ardhur nga ushtria Shqiptare, punojnë me përkushtim të veçantë, për përgatitjen e forcave të UÇK-së”, raportohej në këtë dokument.

“Kur Dritan Goxhaj u largua për në Tiranë, shokët e tij që erdhën vullnetar, i thanë: “Po ti nuk do të qëndrosh me ne në luftën për çlirimin e Kosovës?” Djali i Dylaverit me një mendjemadhësi të tepruar u përgjigj: “Nuk më ka marrë koka erë, si im atë, të vij në luftën e Kosovës. Vullnetarët e ardhur nga perëndimi, u indinjuan nga përgjigja që ai dha, por nuk patën mundësi të reagonin, sepse Drtian Goxhaj ndezi kerrin dhe u largua menjëherë nga qendra stërvitore në drejtim të Tiranës”, thuhej në dokumentin e nënshkruar nga komandant Plaku.

Personi që ia ka dërguar dokumentin kryeministrit të Shqipërisë i ka shkruar atij se Goxhaj nuk ka qenë ushtar.

““Po mos bre mos ja kajni nanën krejt, çfarë komandant i leshit more”, ka treguar Rama fjalët e tij.

“Këto ishin fjalët e një burri me disa të vrarë në familje, që i revoltuar me hosanatë e mbrojtësve të këtij tipit, më çoi dokumentin bashkëngjitur sot në sabah” ka shkruar Rama, i cili ka shtuar se nuk hedh pikë balte mbi flamurin e UÇK-së.

“Ndërsa këto janë fjalët e mia:

Ej, trima, jo për një manipulator gjysëm taleban e gjysëm mitoman, po për krejt botën sikur të ma falin, nuk e hedh një pikë balte unë mbi flamurin e UÇK-së

Dhe kush bën shaka me ndërhyrjen agresive të Iranit në këtë protestë, do ndihet shumë i turpëruar kur e vërteta të dalë në shesh, pasi e tërë kjo mjegull histerie digjitale të shpërndahet”, ka thënë ai.

Goxhaj të hënën doli në krye të protestës në Tiranë dhe pati disa kërkesa, teksa kanë dalë në dritë edhe qëndrimet e tij të mëhershme kundër SHBA-ës dhe pro Iranit.