Gjermania humbet Schlotterbeck, dëmtohet rëndë në kyçin e këmbës. Botërori ka përfunduar për të

Lajm shumë i keq për Gjermaninë në vijim e sipër të Botërorit. Trajneri Julian Nagelsmann do të duhet të bëjë pa mbrojtësin qendror Nico Schlotterbeck, i cili u dëmtua në kyçin e këmbës së majtë gjatë ndeshjes ndaj Bregut të Fildishtë.

Sipas raportimeve të para nga mediat gjermane, futbollisti ka pësuar këputje të ligamentit kolateral medial të kyçit të këmbës, çka do ta detyrojë të humbasë pjesën e mbetur të turneut. Për Schlotterbeck  parashikohet një periudhë rikuperimi prej 6 deri në 8 javësh, gjë që mund ta komplikojë edhe transferimin e mundshëm gjatë merkatos së verës.

Për momentin nuk ka ende një konfirmim zyrtar nga Federata Gjermane e Futbollit (DFB), por deklaratat e Nagelsmann pas ndeshjes nuk linin shumë vend për optimizëm: “Ai ka një dëmtim në ligamentin kolateral të kyçit të këmbës. Duhet të presim rezultatet e ekzaminimeve, por fatkeqësisht situata nuk duket aspak e mirë”.

Në vend të Schlotterbeck, në qendër të mbrojtjes, përkrah Jonathan Tah, pritet të luajë ish-mbrojtësi i Romës, Antonio Rüdiger, duke nisur që nga ndeshja e ardhshme kundër Ekuadorit.

Schlotterbeck është lojtari i tretë që Nagelsmann humbet gjatë kësaj faze finale të Botërorit, pas dëmtimeve të Serge Gnabry dhe Lennart Karl para fillimit të kompeticionit. Ky i fundit madje u detyrua të largohej nga grumbullimi i Gjermanisë në SHBA për shkak të një problemi fizik.

 

The post Gjermania humbet Schlotterbeck, dëmtohet rëndë në kyçin e këmbës. Botërori ka përfunduar për të appeared first on Telesport.