Gjykimi në Hagë, Bajrami: Pres vendim lirues, nuk ka prova për ndërmarrje të përbashkët kriminale në UÇK

 

Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) po gjykohen për krime lufte në Gjykatën Speciale në Hagë për më shumë se pesë vjet.

Profesori i së Drejtës Kushtetuese, Arsim Bajrami në një intervistë për Ekonomia Online ka folur lidhur me këtë proces siç e quan ai të stërgjatur dhe pa asnjë provë.

Bajrami u shpreh se Gjykata Speciale është larg standardeve evropiane, duke shtuar se kjo e fundit ka bërë shumë shkelje.

Ai thotë se pret aktgjykim lirues ndaj katërshës së UÇK-së, por deklaron se çdo vendim tjetër i kësaj gjykate do të ishte një skandal ndërkombëtar gjyqësor.

“Tani kanë mbetë edhe shumë pak ditë derisa të presim aktgjykimin e e Gjykatës Speciale. Padyshim që ky ka qenë një gjykim shumë i rëndë, i përcjellur me shumë shkelje të Kushtetutës së Kosovës, të konventave evropiane për të drejtat e njeriut, dhe raporti i ekspertit britanik këtë e ka konfirmuar. Kjo gjykatë është një model i një gjykimi shumë larg standardeve evropiane. Por, të gjitha këto shkelje që i ka bërë, zgjatja e procesit, mbyllja hermetike e procesit, ndoshta do të mund të amnistohen në qoftë se kjo gjykatë bien një aktgjykim lirues. Në qoftë se deklaron pafajësinë e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sepse asnjëherë dhe me asgjë nuk ka dokumentuar pohimet e aktakuzës. Çfarëdo vendimi tjetër i kësaj gjykate do të ishte një skandal ndërkombëtar gjyqësor, sepse do të ishte një precedent shumë i keq, kur gjykata në vend të drejtësisë ndan politikën, dhe bën një përpjekje që përmes një procesi të padrejtë të rishikojë historinë e Kosovës, të demonizojë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me tendencë të kompromisimit të shtetësisë dhe pavarësisë së Kosovës”, tha Bajrami, për EO.

I pyetur se a mendon se do të mund të shtyhet gjykimi edhe pas 20 korrikut, Bajrami tha se stërzgjatja e procesit mund të shihet edhe si tendencë për përfitime financiare të gjykatësve.

“Çfarëdo shtyrje e re e aktgjykimit do të ishte një stërzgjatje e një procesi, që do të mund të kualifikohej edhe si një tendencë për përfitime financiare të gjykatësve, dhe nuk ka asnjë justifikim vonesa e aktgjykimit. Mendoj që aktgjykimi duhet të deklarohet me kohë, është vonu, dhe aktgjykimi i drejtë duhet të jetë një aktgjykim i pafajshëm, me çka hiqet çfarëdo hipoteke ndaj historisë dhe shtetndërtimit të Kosovës”, tha Bajrami për EO.

Për vendimin përfundimtar, ai u shpreh se pret që aktgjykimi të jetë lirues dhe se nuk ka pasur asnjë provë që vërteton se ka ekzistuar ndonjë ndërmarrje e përbashkët kriminale.

“Si jurist po flas. Si jurist unë pres që aktgjykimi të jetë lirues, sepse e kam përcjellë nga afër dhe kam qenë edhe pjesë e ekipit të mbrojtjes së presidentit Thaçi. Vlerësoj se nuk ka pasur prova, të cilat provojnë ekzistencën e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale, dhe i tërë procesi është nisur me motive politike. Ka pasur një tendencë të kompromisimit të UÇK-së dhe kompromisimit të shtetndërtimit, dhe dua të besoj që këta gjyqtarë, që do të bien aktgjykimin, do t’i mbeten besnikë betimit që kanë dhënë kur janë zgjedhur gjyqtarë, dhe do të ndajnë drejtësinë e jo politikën”, tha Bajrami për EO.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi u arrestuan nga Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe u dërguan në paraburgim në Hagë më 4 dhe 5 nëntor të vitit 2020. Aktakuza ndaj tyre ishte konfirmuar zyrtarisht më 26 tetor 2020.