Rama kritikon Qeverinë për neglizhencë në mirëmbajtjen e autostradave

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas aksidentit tragjik në autostradë ku humbën jetën disa persona, duke akuzuar Qeverinë për neglizhencë në trajtimin e problemeve infrastrukturore dhe për menaxhim të papërgjegjshëm të parasë publike.

Përmes një postimi publik, Rama tha se qytetarët po paguajnë çmimin e dështimeve institucionale si me jetë, ashtu edhe me taksat e tyre. Ai përmendi vendimin për ndarjen e 4.67 milionë eurove për largimin e dheut në autostradë, duke argumentuar se problemi ka mbetur i pazgjidhur për vite me radhë.

Sipas tij, vonesat në trajtimin e kësaj çështjeje kanë bërë që kostoja financiare të rritet, ndërsa institucionet të reagojnë vetëm pasi situata është përkeqësuar.

Rama kritikoi gjithashtu kryeministrin Albin Kurti për, siç tha ai, fokusimin në arsyetimin e problemeve aktuale me gjendjen e trashëguar nga qeveritë e kaluara. Ai vlerësoi se infrastruktura rrugore ishte ndërtuar më herët, ndërsa sfida aktuale mbetet mirëmbajtja dhe menaxhimi i saj.

Në reagimin e tij, kryetari i Prishtinës akuzoi ekzekutivin për prioritizim të propagandës politike dhe komunikimit publik, në vend të zgjidhjes së problemeve konkrete me të cilat përballen qytetarët.

“Një pushtet që investon më shumë në propagandë sesa në zgjidhjen e problemeve reale nuk përfaqëson ndryshimin që premtoi”, ka shkruar Rama, duke kërkuar më shumë përgjegjësi institucionale dhe veprime konkrete për sigurinë e qytetarëve.