Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar 12 Qershorin – Ditën e Çlirimit të Kosovës, duke e cilësuar këtë datë si një nga më të rëndësishmet në historinë e vendit.
Në postimin e saj në Facebook, Osmani shkroi se 12 Qershori shënon momentin kur “dhimbja e luftës i la vend shpresës dhe lirisë”, duke kujtuar hyrjen e forcave të NATO në Kosovë si pikë kthese historike.
“Qofsh përjetë e bekuar, Kosova jonë e dashur! 12 Qershori është dita kur lotët e dhimbjes nisën t’i lëshojnë vend shpresës. Dita kur Kosova filloi të marrë frymë e lirë. Dita kur ëndrra e shumë brezave për liri u bë realitet. Kjo është dita kur mbi tokën e djegur e të stërvuajtur të Kosovës zbarkoi shpresa. Dhjetëra mijëra ushtarakë të shteteve të NATO-s hynë në Kosovë, duke sjellë dritë në vend të errësirës së pafund që përjetonte populli ynë prej shekujsh. Sot, me dhimbje e krenari, kujtojmë bijat dhe bijtë më të mirë të këtij vendi, dëshmorët e UÇK-së të prirë nga Kryekomandanti Adem Jashari, si dhe martirët e lirisë që dhanë jetën që ne të jetojmë të lirë. Kujtojmë familjet që sakrifikuan gjithçka, të mbijetuarit që bartën plagët e luftës dhe të gjithë ata që nuk u dorëzuan kurrë përballë padrejtësisë”, tha ajo.
Po ashtu në postim përmendet edhe ish-presidenti Ibrahim Rugova, të cilin Osmani e vlerëson për rolin e tij në ndërtimin e aleancave ndërkombëtare në periudhat më të vështira të Kosovës.
“Në këtë ditë të shenjtë shprehim mirënjohjen e pafund për vizionin e Atit Themeltar të Republikës sonë, Presidentit Rugova, i cili në kohët më të rënda të historisë sonë diti të ndërtojë aleanca që na u gjendën pranë në ditët më të vështira. Mirënjohja e popullit te Kosovës për aleatët e lirisë do të mbetet e përjetshme. Kosova do të vazhdojë të ecë përpara e lirë, e pavarur, sovrane, e përjetshme! Sepse përjetësinë ia dhanë dëshmorët dhe martirët e lirisë, vizioni i Presidentit Rugova dhe aleatët që na qëndruan në krah”, shkroi Osmani.








