Komuna e Skenderajt ka njoftuar opinionin publik lidhur me ceremoninë e varrimit të Komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sahit Jashari, i cili ndërroi jetë së fundmi.
Sipas njoftimit zyrtar, ceremonia e varrimit do të mbahet nën përkujdesjen e Kryetarit të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ndërsa aktivitetet përkujtimore do të organizohen nga Komuna e Skenderajt në bashkëpunim me familjen Jashari.
Homazhet pranë arkivolit do të mbahen më 12 qershor 2026, nga ora 11:30 deri në ora 14:00, në palestrën “Ilaz Kodra” në Skenderaj.
Po në të njëjtën ditë, duke filluar nga ora 14:00, në palestrën “Ilaz Kodra” do të mbahet edhe mbledhja komemorative kushtuar jetës dhe veprës së të ndjerit.
Ceremonia e varrimit do të zhvillohet më 12 qershor 2026, në ora 16:00, në varrezat e lagjes Jashari në Prekaz.
Ndërkaq, e pamja për familjen Jashari do të mbahet më 13 dhe 14 qershor 2026, nga ora 08:00 deri në ora 16:00, në palestrën “Ilaz Kodra” në Skenderaj.
Në njoftimin e saj, Komuna e Skenderajt ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen Jashari, miqtë, bashkëluftëtarët dhe të gjithë ata që e kanë njohur dhe vlerësuar jetën dhe veprën e Sahit Jasharit.
“Në këto momente të vështira, në emër të qytetarëve të Skenderajt, i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes Jashari, miqve, bashkëluftëtarëve, dashamirëve dhe të gjithë atyre që e kanë njohur jetën dhe veprën e të ndjerit Sahit Jashari”, thuhet në njoftim.








