Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj tre të dyshuarve për disa vepra penale, përfshirë atë të mashtrimit, detyrimit e të shpëlarjes së parave, i njohur ndryshe si rasti “Mega”.
Kjo gjykatë e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës që kjo masë të caktohet ndaj të pandehurve S.D., B.K. dhe A.A.
Ata dyshohen se kanë kryer veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar, lidhur me veprat penale Mashtrimi dhe Detyrimi, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Shpërlarja e parave”.
I pandehuri B.K. dyshohet se ka kryer veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse” dhe “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Kurse, të pandehurit S.D. dhe B.K. në bashkëkryerje dyshohet se kanë kryer veprën penale “Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit”, i pandehuri S,D., dyshohet edhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe i pandehuri A.A., për veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.
Sipas njoftimit, pas mbajtjes së seancës dëgjimore, Gjykata vlerësoi se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate, pasi ekziston rrezik real që nëse të pandehurit lihen në liri, mund të arratisen me qëllim të fshehjes dhe ikjes nga përgjegjësia penale.
“Gjykata gjithashtu vlerësoj se nëse të pandehurit lihen në liri, ekziston rreziku që të njëjtit do të përsërisin veprat penale, po ashtu të ndikojnë edhe në dëshmitarë, andaj konstatoi se masa e paraburgimit tani për tani është e vetmja masë për rrjedhjen e pa penguar të procedurës penale në këtë çështje penale.”, thuhet në njoftim.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Për këtë rast, është raportuar edhe ditë më parë.







