Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka hedhur poshtë mundësinë që një infrastrukturë e Gazit të Lëngshëm Natyror Amerikan të ndërtohet në Kosovë. Sipas tij, një e tillë duhet të bëhet në Vlorë, e pastaj nga aty gazi të transferohet si energji elektrike në Kosovë.
“Republika e Kosovës ka gatishmëri që të investojë në Terminalin në Vlorë dhe paramendojeni një situatë kur për shembull ne kemi një përqindje të aksioneve si Republikë e Kosovës në Terminalin në Vlorë. Dhe aty mund të vijë gazi i lëngshëm prej jashtë, të shndërrohet në energji elektrike dhe me interkoneksionin prej 400 kilowolt që kemi me Shqipërinë ta sjellim tek ne”, tha Kurti në intervistën e dhënë në RTK një ditë para zgjedhjeve.
“Nuk kemi nevojë ta sjellim në Kosovë. Ne e sjellim në Vlorë dhe nga Vlora e marrim. Terminali në Vlorë mund të jetë një vend ku Shqipëria dhe Kosova janë bashkë sa i përket gazit të lëngshëm i cili importohet, vjen nga jashtë”, thotë Kurti.
Sipas Kurtit, Kosova “ka nevojë që qymyrin ta bëjë gaz”, se sa ta blejë gazin si të tillë.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës i ka bërë thirrje Kosovës që t’i bashkohet projektit të gazit të lëngshëm natyror i cili vjen nga SHBA-të. Dhe atë, në formë urgjente në mënyrë që të shmanget varësia nga Rusia.
“Kosova duhet të veprojë shpejt për të realizuar këtë partneritet sepse ndërtimi i infrastrukturës së nevojshme do të kërkojë kohë. Eksportet e GNL -së amerikane pritet të dyfishohen deri në vitin 2030 dhe do të rrjedhin përmes projekteve rajonale si Korridori Vertikal i Gazit dhe terminali lundrues i gazit natyror në Kroaci. Kosova gjithashtu mund të lidhet me gazsjellësin që po ndërtohet për të lidhur terminalin e GNL -së në Aleksandrupolis në Greqi me Shkupin në Maqedoninë e Veriut”, thotë Ambasada.
Sipas Ambasadës, lidhja me një projekt gazjellësi në momentumin aktual do të shkurtonte afatin kohor dhe shpenzimet.
“Gjithashtu, Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka në dispozicion mekanizma financimi për të ndërtuar infrastrukturë të gazit natyror. Kosova mund të punojë me partnerët rajonalë për të siguruar kontrata afatgjata dhe ekonomi të shkallës me çmime më konkurruese. Mundësia për t’iu bashkuar këtyre projekteve po mbyllet. Vonesa e këtij vendimi rrezikon që furnizimet amerikane të GNL-së të zotohen diku tjetër dhe një gjë e tillë mund ta lërë Kosovën si vendin e vetëm në Ballkanin Perëndimor pa qasje në GNL-në amerikan. Historia nuk mund të qëndrojë në rrugë të vendimeve që do t’i sjellin përfitime popullit të Kosovës sot dhe në të ardhmen”, thoshte e ngarkuara me punë në ambasadën e SHBA-ve në Kosovë, Anu Prattipati në një editorial të saj më 4 qershor.








