Komenti i senatorit amerikan, Bernie Sanders, sipas të cilit populli shqiptar është përballë oligarkisë globale nuk ka kaluar në heshtje nga kryeministri Edi Rama që është shndërruar tashmë në një avokat këmbëngulës i projektit turistik të Zvërnecit. Në një mesazh në rrjetin social X, Rama e korrigjon Sanders për “100 mijë protestues në rrugë” duke thënë se ata janë më pak se 10 mijë, duke e këshilluar se Shqipëria nuk do të shndërrohet në dekor të teatrit politik mes demokratëve dhe republikanëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ne mirëpresim investitorë seriozë që vijnë për të ndërtuar, për të krijuar vende pune, për të rritur standardet e jetesës dhe për të respektuar rregullat tona. Ajo për të cilën nuk kemi nevojë është zemërimi i importuar, reflekset ideologjike apo shndërrimi i Shqipërisë në një dekor për teatrin politik të dikujt tjetër” shkruan Rama.
MESAZHI I PLOTë I RAMëS Në PëRGJIGJE TË BERNIE SANDERS
Me gjithë respektin e duhur, senator, Shqipëria është një shtet, jo një rresht në një debat politik amerikan. E vlerësoj sinqerisht interesimin tuaj, por faktet në terren janë disi ndryshe nga titujt e lajmeve. Dhe kur titujt e lajmeve kthehen në burimin kryesor të të kuptuarit të realitetit, gjysmë të vërtetat kanë prirjen të shndërrohen dita ditës në gënjeshtra gjithnjë e më të mëdha, të amplifikuara pikërisht nga ato platforma, për fuqinë shtrembëruese të të cilave ju keni shpenzuar kaq shumë kohë duke ngritur ndërgjegjësimin publik.
(Fakti që më pak se 10 mijë protestues janë shndërruar disi në 100 mijë në postimin tuaj është ndoshta amplifikimi më pak i dëmshëm i zemërimit publik, mes shumë të tjerëve.)
Ende nuk ka një projekt të miratuar, nuk ka leje ndërtimi dhe nuk ka një projekt përfundimtar. Ajo që ekziston sot është një proces planifikimi që përfshin disa nga arkitektët, projektuesit e peizazhit, ekspertët mjedisorë dhe konsulentët e ndikimit social më të njohur në botë, të cilët po punojnë mbi një vizion për turizëm të qëndrueshëm të nivelit të lartë, me përfitime të matshme mjedisore, më shumë hapësira të gjelbra, më shumë pemë dhe rezultate më të mira për biodiversitetin.
Mospajtimi është legjitim.
Kontrolli dhe shqyrtimi mjedisor janë të mirëpritura.
Kështu duhet të funksionojnë demokracitë.
Por të shpallësh diçka si katastrofë mjedisore para se ajo të ekzistojë, është diçka krejt tjetër.
Ajo që do të ngrihet në bregdetin e Shqipërisë do të përcaktohet nga vizioni ynë, ligjet tona, institucionet tona dhe do të debatohet nga vetë qytetarët tanë. Por ajo nuk do të bëhet kurrë peng i frikës për të ëndërruar në përmasa të mëdha, për të menduar në përmasa të mëdha dhe për të investuar në përmasa të mëdha.
Sfida jonë nuk është të zgjedhim mes natyrës dhe zhvillimit, por të provojmë se natyra mund të rigjenerohet dhe zhvillimi mund të rishpikët duke ndërtuar në harmoni me natyrën dhe jo kundër saj, në dobi si të njerëzve, ashtu edhe të mjedisit.
Ne mirëpresim investitorë seriozë që vijnë për të ndërtuar, për të krijuar vende pune, për të rritur standardet e jetesës dhe për të respektuar rregullat tona. Ajo për të cilën nuk kemi nevojë është zemërimi i importuar, reflekset ideologjike apo shndërrimi i Shqipërisë në një dekor për teatrin politik të dikujt tjetër.
Faktet të parat. Gjithmonë.
Sepse Shqipëria nuk është një sfond për betejat politike të huaja. Ajo është një vend i vogël, por krenar dhe i lirë, që bën zgjedhjet e veta dhe përcakton të ardhmen e vet.
Dhe, duke thënë të gjitha këto, shpresoj që ta mbani mend Shqipërinë edhe pasi titujt e lajmeve të kenë kaluar. Madje, do të shpresoja që të vini dhe ta shihni vetë vendin tonë të bukur, i cili po përballet me sfidën historike për t’u bërë së shpejti një anëtar krenar i Bashkimit Europian, ku asnjë projekt që prek natyrën nuk mund të ecë përpara pa përmbushur disa nga standardet, vlerësimet dhe kërkesat ligjore mjedisore më të rrepta në botën demokratike.
Pikërisht për këtë arsye duhet t’u besojmë më shumë fakteve, institucioneve dhe procesit të rregullt ligjor sesa titujve të lajmeve, supozimeve dhe zemërimit viral.
Dhe ndoshta, duke qenë se keni kaluar kaq shumë vite duke paralajmëruar për rreziqet e dezinformimit, mund ta vlerësoni gjithashtu se realiteti meriton të paktën të njëjtën mundësi për t’u dëgjuar si historitë që tregohen për të.
Më lejoni të them se e gjithë kjo është një arsye e mirë për t’ju ftuar të jeni mysafiri ynë në Shqipëri, ku, siç është gdhendur në Kanunin e lashtë shqiptar të Nderit, shtëpitë tona i përkasin Zotit dhe Mikut.








