Gani Krasniqi, një nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vështirë se do të sigurojë mandat të ri deputeti.
Ish-funksionari i lartë i Shtabit të Përgjithshëm të organizatës që luftoi për çlirimin e vendit më 1998-1999, ndodhet poshtë vijës së deputetëve të projektuar të Lëvizjes Vetëvendosje në legjislaturën e re.
Pas numërimit të rreth 25% të vendvotimeve, Krasniqi, i renditur i 49-ti në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, ka marrë pak vota preferenciale. Ka rënë 46 pozita më poshtë në renditje. Me 1,463 vota të siguruara pas numërimit të pjesshëm, veterani i UÇK-së ndodhet larg zonës së deputetëve eventual.
Renditja mund të ndryshojë deri në numërimin përfundimtar, por Krasniqi do të arrinte në zonën e sigurimit të mandatit vetëm nëse do të ndryshojë thelbësisht trendi i votave preferenciale brenda listës.
Njeriu të cilit i atribuohen meritat kryesore për themelimin e Shtabit të UÇK-së në Malishevë, nuk është i vetmi veteran që nuk e ka bindur elektoratin e Lëvizjes Vetëvendosje për një mandat në Kuvendin e ri.
Edhe ish-ushtari i UÇK-së, Ilir Qeriqi, i cili mban gradën Gjeneral Brigade në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), projektohet të mbetet jashtë legjislaturës së re, pas numërimit të 27,02% të vendvotimeve brenda vendit.
Qeriqi, megjithatë ndodhet shumë më afër zonës së mandateve të projektuara për Lëvizjen Vetëvendosje. Vetëvendosje parashihet të sigurojë 51 ulëse në Kuvendin e ri, pas numërimit të votave me postë.
Gjenerali Qeriqi renditet i 52-ti në listën e më të votuarve, me një grusht votash më pak sesa Agim Bahtiri që listohet një vend më lartë, raporton Paparaci. Ai numëron 3,322 vota aktualisht.
Jashtë zonës së mandateve rrezikojnë të mbeten edhe ish-ushtari i tri luftërave kombëtare, Salih Zyba. Veterani i luftës me origjinë nga Suhareka, renditet i 61-ti në listë dhe, bazuar në numërimin e deritashëm, ka një diferencë prej 400 votave me kandidatët në kufirin e zonës së mandateve.
Votuesit e Vetëvendosjes, më keq e kanë lënë Enver Dugollin, veprimtarin e çështjes kombëtare, të burgosurin politik nga regjimet e ish-Jugosllavisë dhe të mbijetuarin e masakrës së Dubravës. Dugolli, një ushtarak me profesion, ka siguruar 2,196 nga rreth 75 mijë votat e partisë të numëruara deri në këtë fazë.
Gjatë fushatës elektorale, kryetari i Vetëvendosjes shfrytëzoi kandidimin e Krasniqit, Qeriqit dhe të tjerëve që të krenohej me ish UÇK-në brenda listës së partisë.
“Në këtë listë, kësisoj, janë 18 veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, 12 familjarë të dëshmorëve të atdheut e pesë ish të burgosur politik të regjimeve të ish-Jugosllavisë”, tha Kurti gjatë një tubimi me elektorat në fushatën zgjedhore.
Por, as promovimi i tyre nga Kurti nuk rezultoi i suksesshëm. Elektorati i Vetëvendosjes favorizoi emra të tjerë kundrejt themeluesve, ish-ushtarëve dhe pjesëtarëve të rezistencës kombëtare. /Paparaci.com








