Rozeta Hajdari i ka paguar shtrenjtë komunikimet nga telefoni i saj për skandalin me Rezervat Shtetërore, tregojnë rezultatet e pjesshme të numërimit të votave.
Ish-ministrja e Tregtisë rezulton se është ndëshkuar nga vota preferenciale e elektoratit të Lëvizjes Vetëvendosje, duke marrë vetëm 1,559 vota pas numërimit të 51 mijë votave të Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 7 qershorit.
Hajdari, të cilën partia e vendosi të 21-tën në listë, aktualisht ndodhet e 80-ta më e votuar në Lëvizjen Vetëvendosje. Rezultatet pas numërimit të afër 20% të votave, e lënë ish-ministren jashtë kuvendit të ri.
Renditja mund të ndryshojë në rast se ndryshon edhe trendi i votave deri në numërimin e plotë.
Por, mesazhi është i qartë. Elektorati i Vetëvendosjes i ka dhënë një “goditje” të fortë ish-anëtarës së kabinetit qeveritar të përfshirë në një nga aferat më të mëdha korruptive të Qeverisë Kurti.
Paparaci publikoi javën e kaluar një seri bisedash të zhvilluara në një grup “sekret” të platformës WhatsApp, me protagoniste kryesore ish-ministren Hajdari.
Sipas bisedave, të cilat u nxorën nga telefoni i ish-ministres gjatë hetimeve penale ndaj saj në rastin e Rezervave Shtetërore, ajo bashkë me tre të tjerë – përfshirë sekserin Ridvan Muharremi – bisedonin në WhatsApp për një procedurë të shpallur sekret shtetëror.
Komunikimet dëshmonin sesi Hajdari i kishte krijuar qasje në sekretin shtetëror të vendndodhjes së Rezervave Shtetërore, një personi privat i cili nuk kishte asnjë lidhje me shtetin. Përveç, lidhjes së dyshuar miqësore me njerëz të Qeverisë Kurti.








