Prishtina bëhet qendër botërore e debatit për Gjykatën Speciale, emra të mëdhenj zbarkojnë në Kosovë

Nesër dhe pasnesër në Prishtinë do të mbahet konferenca më e madhe që është organizuar ndonjëherë për drejtësinë tranzicionale dhe gjykatat ndërkombëtare për luftën e Kosovës, me theks te Gjykata Speciale.

Në prag të ditës së çlirimit, më 10 dhe 11 qershor, kjo do të jetë një nga ngjarjet kryesore dedikuar Gjykatës Speciale dhe instrumenteve të drejtësisë tranzicionale. Në mes dhjetëra emrave eminentë, pjesëmarrës janë edhe emra ndërkombëtarë që kanë shfaqur kritika të ashpra ndaj procesit në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku tash e rreth 6 vjet po vazhdon procesi ndaj ish-themeluesve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimit, etj.

Në panele të ndryshme do të flasin edhe Daan Everts, ish shefi i OSBE-së në Kosovë, Sir Geoffrey Nice, ish prokurori kundër Slobodan Milosheviqit në Tribunalin e Hagës, Robert Bosch, ish Ambasador i Holandës në Kosovë, Nevenka Tromp, hulumtuese e Tribunalit të Hagës dhe shumë emra tjerë që kanë shpërfaqur në të kaluarën kritika të ashpra ndaj Gjykatës Speciale.

Në konferencë për aspekte të ndryshme të rolit të mediave në çeshtjet e drejtësisë tranzicionale do të flasin edhe gazetarët e famshëm Tim Judah, korrespodenti i revistës “The Economist”, autorja Ana Di Lellio, Dan Perry, ish drejtor i agjencionit “Associated Press per Europe”, etj.

Panelistë do të jenë edhe ish-ministrat e jashtëm të Shqipërisë, Maqedonisë Veriore dhe Kosovës, përkatësisht Gent Cakaj, Bujar Osmani dhe Petrit Selimi, pastaj ish ministri britanez Denis MacShane dhe ish ministri i Kanadës Ross Reid, i cili njëkohësisht ishte edhe drejtor i zyrës së NDI në Kosovë.

Një paraqitje do ta ketë edhe historiani i njohur Jason Steinhauer, i cili do të flasë për dezinformatat në rrjetet sociale që kanë impakt në interpretimin historik.

Organizatorë të kësaj konference, e cila është më e madhja që është mbajtur ndonjëherë për gjykatat ndërkombëtare që e kanë gjykuar luftën e Kosovës, janë organizatat e shoqërisë civile “Liria ka emër” dhe KIPRED.