LDK del e treta, dalin zërat e parë kundër koalicionit me VV-në

Ish-këshilltari i kryeministrit Isa Mustafa, njëkohësisht anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj e ka kundërshtuar kategorikisht mundësinë e lidhjes së një koalicioni paszgjedhor me Vetëvendosjen.

Gecaj ka thënë sot se “Albin Kurti duhet mposhtur” duke kujtuar koalicionin e dështuar të para gjashtë vitesh mes LDK-së dhe LVV-së.

“Në vitin 2020 i dhashë një shans koalicionit LDK–LVV, edhe pse isha skeptik për suksesin e tij. Nëse ndonjë koalicion me Vetëvendosjen kishte mundësi të funksiononte, ai ishte pikërisht ai”, shkroi Gecaj në një postim në Facebook të martën.

“Por përvoja tregoi se bashkëpunimi me LVV zgjat vetëm derisa i shërben interesave politike të Albin Kurtit [dhe Dejona Mihalit]. Kur këto interesa ndryshojnë, prishen edhe marrëveshjet”, tha ai.

Sipas Gecajt, detyra e opozitës është ndërtimi i një alternative të fortë që mposht Kurtin.

“Prandaj, detyra e opozitës nuk është të përshtatet me Kurtin, por të ndërtojë një alternativë të fortë që e mposht politikisht. Kjo nuk është vetëm garë për pushtet, por përballje mes dy vizioneve për Kosovën: demokracisë pluraliste dhe përqendrimit të pushtetit”, tha Gecaj.

“Për ata që besojnë në demokraci dhe në sakrificat mbi të cilat është ndërtuar shteti ynë, mposhtja politike e Albin Kurtit është domosdoshmëri”.