DnV: Kosova shënoi përqindjen më të ulët të daljes në zgjedhje në pothuajse një dekadë

Demokracia në Veprim ka vlerësuar se zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit janë zhvilluar në përputhje me standardet demokratike për zgjedhjet e lira, konkurruese dhe të qeta.
Eugen Cakolli nga “DnV”, përmes një konference për media potencoi se procesi zgjedhor është administruar në mënyrë profesionale dhe efikase.

“Megjithatë, zgjedhjet janë mbajtur në një proces të pazakontë politik dhe institucionale, meqenëse janë zgjedhjet e treta parlamentare që zhvillohen në më pak se një vit e gjysmë”, tha Cakolli.
Fjalë të mira pati edhe për punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku Cakolli tha se puna e tyre është përmirësuar dukshëm.

Ndërsa sipas tij, në zgjedhjet e 7 qershorit ka pasur ulje të motivimit të qytetarëve për të dalë në zgjedhje, e siç thotë ai, Kosova shënoi përqindjen më të ulët të daljes në zgjedhje në pothuajse një dekadë.