Ish-presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka falënderuar qytetarët e vendit, mbështetësit dhe votuesit e LDK-së, duke theksuar mirënjohjen e saj për besimin dhe përkrahjen e marrë gjatë fushatës dhe aktivitetit politik.
Osmani u shpreh se periudha e fundit ka qenë një mundësi për të takuar mijëra qytetarë anembanë Kosovës, ku janë dëgjuar shqetësimet, ëndrrat dhe pritjet e tyre për një shtet më të zhvilluar, më të bashkuar dhe më demokratik. Ajo theksoi se kjo shpresë, sipas saj, ka qenë forca kryesore e angazhimit të saj politik.
Në mesazhin e saj, ajo falënderoi të rinjtë për energjinë, gratë për forcën, mërgatën për lidhjen me vendin, si dhe të gjithë qytetarët që morën pjesë në zgjedhje duke besuar në procesin demokratik.
“Ky rezultat nuk është fundi i një gare, por vazhdimi i një misioni,” ka shkruar ajo.
Osmani gjithashtu theksoi se pjesëmarrja e saj në zgjedhje ka pasur synim ndihmën për “ringritjen e LDK-së” dhe për rikthimin e balancave demokratike në vend. Ajo nënvizoi se emri i saj nuk do të jetë pengesë në krijimin e institucioneve të reja dhe se fokusi i saj mbetet tejkalimi i krizës politike dhe forcimi i shtetit ligjor.
“Rruga vazhdon. Bashkë,” përfundon mesazhi i saj.







