Marc Cucurella vazhdon ta ketë prioritet rikthimin te Barcelona, por është i vetëdijshëm se një transferim i tillë nuk mund të garantohet në afat të shkurtër. Klubi katalanas ka prioritete të tjera në merkato, ku më e rëndësishmja është gjetja e një sulmuesi qendre pas largimit të Lewandowski.
Mbrojtësi i majtë 27-vjeçar e ka bërë të qartë se dëshiron t’i japë fund aventurës së tij te Chelsea. Ai i ka komunikuar klubit londinez, me të cilin ka kontratë deri në vitin 2029, se nuk planifikon të vazhdojë më në “Stamford Bridge”. Si lojtari, ashtu edhe klubi mendojnë se zgjidhja më e mirë është një transferim gjatë kësaj vere.
Chelsea e vlerëson Cucurella mes 40 dhe 50 milionë eurove. Pas 68 milionë eurove të paguara në vitin 2022 për ta marrë nga Brighton & Hove Albion, drejtuesit e konsiderojnë këtë çmim të arsyeshëm.
Barcelona vazhdon ta ndjekë situatën, pasi trajneri Hansi Flick e vlerëson shumë për cilësitë teknike, fizike dhe taktike. Megjithatë, çdo lëvizje e katalanasve lidhet drejtpërdrejt me të ardhmen e Alejandro Balde, i cili duhet të largohet që Cucurella të ketë hapësirë në skuadër.
Interes për mbrojtësin kanë shfaqur edhe Manchester City, Manchester United, Atlético Madrid dhe Real Madrid. Ndërkohë, pista e Bayern Munich konsiderohet pothuajse e mbyllur.
Për momentin, Cucurella është i fokusuar te Kupa e Botës dhe synon të vendosë përfundimisht për të ardhmen pas përfundimit të turneut. Ai është i gatshëm ta presë Barcelonën deri në fund, por nëse merr një ofertë shumë të rëndësishme financiarisht dhe sportive, mund ta zgjidhë më herët çështjen e transferimit.
The post Cucurella do me patjetër Barcelonën, por gjithçka varet nga e ardhmja e Baldes appeared first on Telesport.







