Organizata Demokracia në Veprim (DnV) ka bërë të ditur se procesi i votimit në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës ka nisur kryesisht me kohë dhe pa probleme serioze në shumicën e vendvotimeve në vend.
Sipas DnV-së, 500 vëzhgues të saj janë angazhuar në 500 vendvotime të përzgjedhura sipas mostrës përfaqësuese të rastësishme, duke monitoruar mbarëvajtjen e procesit nga hapja e vendvotimeve deri në përfundimin e numërimit të votave për subjektet politike.
Në njoftim thuhet se qytetarët e Kosovës po ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të zgjedhur përfaqësuesit në Kuvendin e Kosovës, ndërsa integriteti i procesit zgjedhor varet nga respektimi i standardeve demokratike dhe garantimi i votimit të lirë dhe pa pengesa për secilin qytetar.
Sipas të dhënave të mbledhura nga terreni, vetëm 1.6 për qind e vendvotimeve janë hapur me vonesë. Shkaku kryesor i këtyre vonesave ka qenë mungesa e komisionerëve, ndërsa në disa raste janë raportuar edhe mungesa të kabinave të votimit.
DnV ka evidentuar gjithashtu se në rreth 2 për qind të vendvotimeve janë shfaqur probleme me funksionalizimin ose vendosjen e kamerave, çka sipas organizatës mund të ndikojë në ruajtjen e fshehtësisë së votës.
Një tjetër gjetje e vëzhguesve është se në 16 për qind të vendvotimeve nuk ka asnjë grua të angazhuar si komisionere.
Organizata ka theksuar se në këto zgjedhje të drejtë vote kanë 1,959,962 qytetarë. Krahasuar me zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit 2025, lista e votuesve është më e vogël për 39,242 emra, megjithëse ndërmjet dy proceseve zgjedhore nuk kanë kaluar as gjashtë muaj.
Po ashtu, DnV ka veçuar faktin se 16,934 qytetarë do të votojnë për herë të parë në këto zgjedhje, duke i inkurajuar ata dhe të gjithë votuesit e tjerë që të marrin pjesë në proces dhe të votojnë sipas bindjes së tyre.






