Vlahovic-Juventus, ja e vërteta e lojtarit: “Ndihem i tradhtuar”. Detaje nga prapaskenat e largimit

Juventusi i sezonit 2026/27 nuk do ta ketë më Dusan  Vlahovic në sulm. Situata është bërë pothuajse zyrtare pas dështimit të kontaktit të fundit mes palëve për rinovimin e kontratës, marrëveshje që nuk do të realizohet. Qëndrimi i klubit bardhezi, sidomos në aspektin ekonomik, për shkak të kërkesave të larta të sulmuesit serb, si edhe pakënaqësia e një pjese të dhomës së zhveshjes ndaj disa sjelljeve të tij, kishin dalë tashmë në pah ditët e fundit.

Lideri, shiriti i kapitenit dhe paga – Tani, sipas “Tuttosport”, del në dritë edhe versioni i vetë lojtarit. Disa prapaskena ishin zbuluar më herët, si fraza “pse duhet të paguhem sa Jonathan David?”, apo çështja e shiritit të kapitenit. Në fillim të këtij sezoni, Juventusi nuk e përfshiu Vlahovic në hierarkinë e kapitenëve, duke preferuar me radhë Locatelli, Bremer dhe Yildiz.

Comolli dhe rinovimi – Gjatë negociatave, ndërsa Chiellini dhe Ottolini kishin kërkuar një takim të fundit, sipas rrethit të Vlahovic nuk ka pasur as lidhje dhe as komunikim të mirëfilltë me Damien Comolli. Sulmuesi i lindur në vitin 2000 pati kontakte nga Bayern Munich, Barcelona, Milani dhe Napoli, por dëshironte të dëgjonte fillimisht Juventusin. Ai shpresonte vërtet të qëndronte, madje duke pranuar edhe rinovim 2-vjeçar, që do ta rikthente diskutimin për kontratën pas një viti.

Pse ndihet i tradhtuar – Vlahovic e konsideron veten një lider, duke kujtuar edhe mbështetjen që u ka dhënë shokëve të skuadrës nga stoli gjatë periudhave të dëmtimit. Megjithatë, nga këndvështrimi i tij, Juventusi nuk e ka trajtuar kurrë si një figurë udhëheqëse. Pikërisht për këtë arsye ai ndihet i tradhtuar.

Sipas raportimeve, këto dhe të tjera detaje pritet t’i shprehë në mesazhin e fundit që po përgatit për tifozët në rrjetet sociale, përpara largimit të tij nga Juventusi. Publikimi i tij pritet në fund të muajit.

The post Vlahovic-Juventus, ja e vërteta e lojtarit: “Ndihem i tradhtuar”. Detaje nga prapaskenat e largimit appeared first on Telesport.