Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka ushtruar të drejtën e votës të dielën në Fakultetin Ekonomik-Juridik të Universitetit të Prishtinës, duke u bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë masivisht në procesin zgjedhor.
Pas votimit, Kurti deklaroi se dita e zgjedhjeve po zhvillohet në një atmosferë të mirë dhe me mot të favorshëm.
“Sot është një ditë e bukur dhe e rëndësishme, e diel me diell. Në Fakultetin Ekonomik-Juridik të Universitetit të Prishtinës e verifikova online nëse e kam vendvotimin këtu, ashtu si herën e kaluar. Qytetarët paraprakisht ta kontrollojnë vendvotimin dhe, pasi ta verifikojnë, të nisen për të votuar”, tha ai.
Kryeministri në detyrë theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së qytetarëve në zgjedhje, duke vlerësuar se një dalje e lartë në votime rrit legjitimitetin e procesit zgjedhor.
“Sa më e lartë të jetë dalja e qytetarëve në zgjedhje, aq më legjitime do të jenë zgjedhjet”, u shpreh Kurti.
Ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote që të shfrytëzojnë mundësinë për të marrë pjesë në vendimmarrje përmes votës së tyre.








