“Zgjedhjet 2026”: Mbulimi special nga ekipet e Klan Kosova (VIDEO)

Nesër, Kosova voton në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Si rëndom, televizioni numër një në vend, Klan Kosova, do të sjellë një mbulim maratonik të procesit zgjedhor, duke raportuar për çdo zhvillim të rëndësishëm gjatë ditës së votimit.

Raportimi në televizionin numër një në vend nis në orën 06:45, 15 minuta para hapjes së qendrave të votimit, dhe do të vazhdojë deri pas mesnatës, me informacione, analiza dhe pamje nga e gjithë Kosova.

Ekipet e Klan Kosovës do të jenë në terren anembanë vendit për të përcjellë nga afër procesin zgjedhor dhe zhvillimet që e shoqërojnë atë.

Të njëjtit veçse janë shpërndarë në mbarë vendin, nga ku kanë dhënë detajet e fundit një ditë para nisjes së procesit zgjedhor.

Gazetarja Sala Gashi nga Prizreni raportoi se në këtë qytet historik, sonte po mbretëron qetësi. Madje, ajo tha se qytetarët po shpresojnë se qetësi do të ketë edhe ditën e nesërme.

Rilind Matoshi nga Prishtina dha informacionet e fundit, duke thënë se meqë është vikend, në kryeqytet nuk ka shumë trafik.

Megjithatë, ai tha se në këto momente pritet që sheshet e kryeqytetit të vërshohen me qytetarë, pasi partitë politike i kanë tubimet e tyre përmbyllëse.

Ndërkaq, nga Gjilani u paraqitën gazetaret Donjeta Murseli dhe Endrita Bajrami, të cilat dhanë detajet, specifikat, karakteristikat dhe shifrat e qytetarëve me të drejtë vote në këtë komunë, por edhe në komunat fqinje.

Gjakova do të mbulohet nga ekipi i gazetareve Florentina Hoti dhe Diellëza Berisha, të cilat mbrëmjen e sotme u paraqitën nga Çarshia e Madhe, ku po mbretëronte zhurmë e këndshme.

Edhe qytetarët e zonës së Dukagjinit, saktësisht të Pejës dhe Deçanit, nesër do t’u drejtohen kutive të votimit.

Nga atje po raporton gazetarja Vesa Hoda e cila tha se, përderisa në Pejë të drejtë vote kanë rreth 115 mijë qytetarë, në komunë ne Deçanit, këtë të drejtë e gëzojnë rreth 40 mijë qytetarë.

Gazetari Kastriot Tahiri raporton sot e nesër nga Skenderaj lidhur me zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Atje të drejtë vote kanë mbi 50 mijë qytetarë teksa janë 33 qendra të rregullta të votimit dhe një me kusht.

Në rajonin e Drenicës bashkë me Tahirin do të jetë edhe gazetarja tjetër, Gremisa Latifi. Ata do ta përcjellin edhe komunën tjetër, atë të Drenasit ku po ashtu janë mbi 50 mijë qytetarë me të drejtë vote, në 33 qendra të votimit, dhe një me kusht.

Klani do të raportojë nesër edhe nga Ferizaj përmes gazetares, Sara Aliu. Janë mbi 118 mijë qytetarë të kësaj komune që kanë të drejtë vote, dhe rreth 10 mijë qytetarë të tjerë nga diaspora të cilët janë regjistruar për të votuar në Kosovë.

Për ta janë përcaktuar 48 qendra të votimit me 146 vendvotime.

Afër saj për të raportuar do të jetë edhe gazetarja Gentiana Gashi, respektivisht nga Shtimja dhe Kaçaniku.

Në Kaçanik janë mbi 36 mijë qytetarë me të drejtë vote, dy mijë nga diaspora, teksa janë 31 qendra të votimit.

Mbi 26 mijë banorë në komunën e Shtimes kanë të drejtë vote, dhe po ashtu mbi dy mijë banorë nga diaspora, teksa në dispozicion janë 15 qendra të votimit.

Të dyja komunat kanë nga një qendër votimi me kusht.

Mitrovica po vlon këtë mbrëmje me qytetarë që kanë dalë të shijojnë këtë natë të ngrohtë, në përgatitje për të marrë pjesë në procesin e nesërm zgjedhor.

Nga atje, gazetarja Bleona Thaçi dha informacionet e fundit, teksa inkurajoi qytetarët që nëse vërejnë ndonjë parregullsi gjatë ditës së nesërme, t’i paraqesin te ekipet e Klan Kosova.

Amantina Hasani po qëndron në Istog, nga ku thotë se pritet të ketë më shumë dinamizëm sesa në zgjedhjet e paraprake.

Edicioni i plotë qendror i lajmeve: