E ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati në një opinion ka paralajmëruar Kosovën se po i mbyllet mundësia për projektin amerikan të gazit dhe ka tërhequr vërejtjen se varësia ndaj fqinjëve për rrymën do të rritet, por partia në pushtet e prirë nga Albin Kurti e ka ndërmend të refuzojë projektin amerikan sepse nuk e ka në program dhe varësia nga shtetet e rajonit, do të thoshte edhe varësi ndaj Rusisë.
Kosova duhet ta shqyrtojë seriozisht dhe ta pranojë ofertën amerikane për t’u përfshirë në projektet rajonale të gazit natyror të lëngshëm (GNL), pasi kjo paraqet mundësi strategjike për forcimin e sigurisë energjetike, uljen e varësisë nga importet e shtrenjta të energjisë elektrike dhe thellimin e partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ky ishte thelbi i mesazhit që ushtruesja e detyrës së ambasadores amerikane në Kosovë, Anu Prattipati, ka përcjellë përmes opinionit të saj mbi sigurinë energjetike. Sipas saj, Kosova po përballet me varësi në rritje nga energjia e importuar, ndërsa kërkesa për energji vazhdon të rritet. Vetëm gjatë katër viteve të fundit, vendi ka shpenzuar 735 milionë euro për importe të energjisë elektrike, ndërsa kostoja e importeve është rritur nga 142 milionë euro në vitin 2024 në 259 milionë euro në vitin 2025. Qëndrimi i Prattipatit është më i freskët sa i përket angazhimit amerikan që të shkëput rajonin nga ndikimi rus në energji.
Mirëpo mundësitë e mëdha që Kosova ta forconte sigurinë e saj energjetike nëpërmjet partneritetit me SHBA-në, e ka rrezikuar kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i cili me të ardhur në pushtet fillimisht ndërpreu projektin e madh për termocentralin e ri “Kosova e Re” në bashkëpunim me SHBA-në e pak muaj më vonë edhe projektin e gazit amerikan. Kështu, Kosova e Kurtit e varur nga blerja e energjisë nga Serbia dhe vendet e tjera të rajonit, ka ngritur rrezikun që të bjerë në ndikimin rus të energjisë.
Nga ky këndvështrim, gazi natyror amerikan shihet si alternativë që do të diversifikonte burimet energjetike të Kosovës dhe do të reduktonte rrezikun e varësisë nga tregjet rajonale. Prattipati argumenton se centralet me gaz mund të sigurojnë energji të qëndrueshme në periudhat kur kërkesa është e lartë, duke kontribuar në stabilizimin e çmimeve dhe në sigurinë e furnizimit.
Diplomatja amerikane e lidh drejtpërdrejt çështjen energjetike me sigurinë kombëtare, duke theksuar se shtetet që nuk kontrollojnë burimet e tyre të energjisë mbeten të ekspozuara ndaj krizave dhe luhatjeve të tregut. Për këtë arsye, ajo e konsideron të domosdoshme përfshirjen e Kosovës në projektet rajonale të gazit që tashmë janë në zhvillim, përfshirë Korridorin Vertikal të Gazit, terminalin lundrues të GNL-së në Kroaci dhe lidhjet infrastrukturore që po ndërtohen në rajon.
Një element tjetër i rëndësishëm në argumentimin e Prattipatit është faktori kohë. Sipas saj, projektet energjetike kërkojnë vite për t’u realizuar dhe mundësia që Kosova të lidhet me infrastrukturën ekzistuese rajonale nuk do të mbetet e hapur pafundësisht. Nëse vendi vonohet, furnizimet dhe investimet amerikane mund të orientohen drejt tregjeve të tjera.
Në anën tjetër, programi energjetik i kryeministrit Albin Kurti nuk e përmend integrimin e Kosovës në projektet amerikane të gazit natyror. Strategjia e paraqitur nga Lëvizja Vetëvendosje fokusohet kryesisht në modernizimin e termocentraleve “Kosova A” dhe “Kosova B”, rritjen e kapaciteteve të energjisë së erës dhe asaj diellore, investimet në bateri për ruajtjen e energjisë dhe integrimin rajonal të tregut të energjisë elektrike.
“Për siguri të furnizimit, do të vazhdojmë investimet në njësitë e termocentraleve “Kosova A” dhe “Kosova B”, të cilat rrisin kapacitetin e tyre për së paku 20 vite dhe do të ulin ndotjen, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian. Me modernizimin dhe vendosjen e filterëve që tashmë janë duke u realizuar, kapaciteti prodhues i termocentralit “Kosova B” po rritet për së paku 20%, emetimet e pluhurit do të ulen për 97%, ndërsa emetimet e oksideve të azotit ulen për 75%.
Ndërsa, me rehabilitimin e thellë të njësive të termocentralit “Kosova A”, kapaciteti prodhues do të rritet për 60%”, ka thënë Kurti në prezantimin e planprogramit të partisë së tij para 10 ditëve.
Programi parashikon që Kosova të bëhet neto eksportuese e energjisë elektrike dhe që mbi 93 për qind e konsumit të mbulohet nga burimet vendore. Edhe pse përmendet planifikimi i gazifikimit të qymyrit si teknologji e re, nuk ka referenca për ndërtimin e infrastrukturës së gazit natyror apo për përfshirjen në projektet amerikane të GNL-së.
Pikërisht këtu qëndron dallimi mes vizionit të administratës amerikane dhe qasjes aktuale të Qeverisë së Kosovës. Ndërsa SHBA-ja e sheh gazin natyror si komponent të domosdoshëm tranzitor për sigurinë energjetike dhe diversifikimin e burimeve, strategjia e Kurtit mbështetet kryesisht në linjitin vendor, energjinë e ripërtëritshme dhe sistemet e magazinimit të energjisë.
Nga perspektiva e Prattipatit, pranimi i projektit amerikan të gazit nuk do të ishte vetëm një vendim energjetik, por një zgjedhje strategjike që do ta afronte Kosovën më shumë me arkitekturën energjetike perëndimore dhe me partnerin e saj kryesor ndërkombëtar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.









