Drejtori i të ashtuquajturës zyre serbe për Kosovën, e ngarkuar për propagandë kundër Kosovës, Petar Petkoviq, gjatë një takimi me serbët në Kralevë, të cilët kanë ikur së bashku me ushtrinë dhe policinë serbe pas humbjes së luftës në Kosovë, u bëri thirrje atyre që të marrin pjesë në zgjedhjet e 7 qershorit dhe të votojnë për Listën Serbe. Ai tha se çdo votë për këtë subjekt politik është votë “për mbijetesën e serbëve në Kosovë”, “ruajtjen e institucioneve serbe” dhe vazhdimin e mbështetjes financiare nga Serbia, transmeton Paparaci.
Petkoviq ka pretenduar se Lista Serbe gëzon mbështetjen e plotë të Beogradit dhe të presidentit Aleksandar Vuçiq, duke e cilësuar atë “si përfaqësuesen e vetme legjitime të serbëve në Kosovë”. Ai kritikoi partitë e tjera serbe, veçanërisht Nenad Rashiqin, duke i akuzuar “se veprojnë në interes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti”.
Sipas Petkoviqit, është me rëndësi që Lista Serbe të sigurojë të gjitha 10 mandatet e rezervuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës, në mënyrë që të pengohen, siç tha ai, “politikat që i konsideron të dëmshme për serbët në Kosovë”.
Ai paralajmëroi gjithashtu vazhdimin e takimeve me personat e zhvendosur në Serbi për t’i inkurajuar ata të marrin pjesë në procesin zgjedhor, duke theksuar nevojën “për unitet politik të komunitetit serb rreth Listës Serbe”./Paparaci.com









