Një person ka pësuar lëndime trupore nga arma e zjarrit të dielën në Junik.
Sipas njoftimit të policisë, ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 20:30, derisa bëhet e ditur se viktima është dërguar në QKUK për trajtim.
“Stacioni Policor në Junik, më 1 qershor 2026 rreth orës 20:30 është njoftuar nga QKMF në Junik se një person po trajtohej nga ekipi mjekësor në shtëpinë e tij, pasi kishte pësuar lëndime nga arma e zjarrit. Menjëherë pas pranimit të informacionit, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë hasur ekipin mjekësor. Pas trajtimit fillestar, i lënduari është dërguar në Spitalin Rajonal të Gjakovës për ndihmë mjekësore, ndërsa për shkak të natyrës së plagëve më pas është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë”, thuhet në njoftim.
Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë të tipit AK-47, dy karikatorë të së njëjtës armë, 51 fishekë të kalibrit 7.62 milimetra dhe një gëzhojë.
“Sipas dyshimeve fillestare, personi i lënduar është vetëplagosur. Ai vazhdon të marrë trajtim mjekësor në QKUK, ndërsa rasti po hetohet nga hetuesit e Sektorit Rajonal për Hetime në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Pejë. Policia ka bërë të ditur se hetimet janë në vazhdim për të sqaruar të gjitha rrethanat e ngjarjes”.









