Kandidati për kryeministër nga Aleanca, Ardian Gjini, ka deklaruar se nëse punohet me seriozitet, rruga për Gjakovë dhe rruga për Pejë mund të kryhen për 12 deri në 18 muaj.
Ai ka deklaruar se me buxhetin e ndarë nga qeverisja në ikje, këto projekte nuk do të kryhen as për 10 vjet.
“Rruga për Gjakovë dhe rruga për Pejë, unë po besoj, prej përvojës që e kam, 12 muaj deri në 18 muaj duhet me u kry fizikisht. Me buxhetin që e kanë nda, nuk kryhet as për 10 vjet, se 3 milionë në vit janë nda për çdo vit; me 3 milionë në vit, edhe 10 vite nuk kryhet. Njëjtë është edhe segmenti që e lidh Pejën me Prishtinën”, ka deklaruar Gjini.
Kandidati për kryeministër ka shtuar tutje se njëjtë ka ndodhur edhe me Autostradën e Gjilanit, që tha se nëse punohet do të përfundojë për 12 muaj.
“Është kryer autostrada ‘Arben Xhaferi’ për 2 vite, që është krejt urë. Nëse një qeveri me të vërtetë don me e kry një punë, nuk mundet me e ndalë as OSHP-ja, as operatori, sepse qeveria bën edhe ligje, nuk ndan veç para”, ka deklaruar Gjini.








