Prattipati zhvillon takime në Zveçan dhe Leposaviq për situatën aktuale në veri

E ngarkuara me punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, ka vizituar sot veriun, ku ka zhvilluar një sërë takimesh me kryetarët e komunave me shumicë serbe dhe përfaqësues politikë lokalë për të diskutuar situatën aktuale dhe sfidat me të cilat përballen komunitetet në këtë pjesë të vendit.

Gjatë vizitës në Zveçan, Prattipati u takua me kryetarin e komunës, Dragisha Miloviq, me të cilin bisedoi për zhvillimin lokal dhe mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen, transmeton Klankosova.tv.

Lajmin e ka bërë të ditur Ambasada e ShBA-së në Kosovës, përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

“E Ngarkuara me Punë, Anu Prattipati, vizitoi sot veriun e Kosovës, ku u takua me kryetarë komunash serbë të Kosovës dhe këshilltarë opozitarë për të diskutuar situatën aktuale politike dhe sfidat me të cilat përballen komunitetet e tyre”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, në Leposaviq, ajo zhvilloi një takim me kryetarin e komunës, Zoran Todiq, ku temat kryesore të diskutimit ishin zhvillimi ekonomik dhe mundësitë për përmirësimin e kushteve për investime dhe rritje ekonomike në rajon.

Sipas njoftimit, gjatë takimeve u diskutua edhe për rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve lokale dhe komuniteteve, si dhe për mundësitë që mund të kontribuojnë në prosperitetin dhe stabilitetin afatgjatë të rajonit./Klankosova.tv