Hoti: Anulimi i “Kosovës së Re” dhe centralit me gaz ishte veprim anti-shtetëror dhe anti-amerikan

Avdullah Hoti, ka deklaruar se projektet energjetike “Kosova e Re” dhe “Centrali i gazit” mbeten ndër projektet më strategjike për Kosovën, duke i cilësuar ato si të rëndësishme për zhvillimin ekonomik dhe pozicionimin politik të vendit në dekadat e ardhshme.

Përmes një postimi publik, Hoti ka theksuar se të dy projektet kanë pasur mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sipas tij, projekti “Kosova e Re” ishte finalizuar me nënshkrimin e një kontrate me një kompani amerikane në prani të ambasadorit amerikan në Prishtinë, ndërsa projekti për centralin me gaz ishte pjesë e Marrëveshjes së Uashingtonit, e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në prani të presidentit amerikan Donald Trump.

Hoti ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për anulimin e këtyre projekteve, duke e cilësuar këtë veprim si “anti-shtetëror dhe anti-amerikan”.

“Secili e ka të qartë se anulimi i këtyre projekteve strategjike nga Kurti ka qenë veprim anti-shtetëror dhe anti-amerikan”, ka shkruar ai.

Sipas Hotit, kundërshtimi i projekteve në emër të mbrojtjes së mjedisit ka qenë një fushatë mashtruese, pasi, sipas tij, ishte planifikuar përdorimi i teknologjive të avancuara dhe të pastra nga kompani perëndimore të njohura.

Ai ka pretenduar se kjo qasje i ka shërbyer interesave që synojnë ta mbajnë Kosovën të varur nga importi i energjisë, ndërsa ka kritikuar edhe individë të politikës dhe shoqërisë civile që, sipas tij, kanë mbështetur ose kanë heshtur përballë anulimit të projekteve.

Në fund, Hoti ka bërë thirrje që qeveria e ardhshme të rikthejë zbatimin e projekteve energjetike, duke vlerësuar se Kosova ka potencial të bëhet eksportuese neto e energjisë.

“Qeveria e ardhshme duhet urgjentisht t’u kthehet zbatimit të këtyre projekteve. Kosova mund dhe do të bëhet neto eksportues i energjisë”, ka deklaruar ai, duke shtuar se vendi mund të ketë varësi energjetike vetëm nga SHBA-ja përmes projektit të gazit amerikan.