Prej disa ditësh, Londrimi ka nisur zyrtarisht prezantimin e projektit të tij më të ri, një EP i përbërë nga pesë këngë.
Videoklipi i parë me titull “Afterparty”, tashmë është në treg dhe po shijon reagimet e publikut, ndërsa plani i artistit për publikimin e materialit është i qartë: këngët e mbetura do të lançohen njëra pas tjetrës. Megjithatë, ndërkohë që ndjekësit presin radhën e secilit projekt vizual, duket se artisti ka ruajtur një lëvizje shumë të veçantë për vazhdimësinë e këtij minialbumi.
E gjithë vëmendja pritet të kalojë te një prej videoklipeve të radhës, ku protagoniste kryesore do të jetë Dolce. Dyshja, e cila ndau një rrugëtim të gjatë dhe mjaft të komentuar brenda shtëpisë së Big Brother VIP Kosova 4, po bëhet sërish bashkë, por këtë herë larg dinamikave të lojës. Përfshirja e saj në projektin e Londrimit është një zhvillim interesant, duke ditur raportin e tyre gjatë spektaklit dhe kuriozitetin e njerëzve për t’i parë përsëri në të njëjtin ekran.
Për ta bërë këtë projekt edhe më të veçantë, dyshja ka zgjedhur qytetin e Shkodrës për të zhvilluar xhirimet e klipit. Por çfarë po ndodh prapa kamerave? Burime të afërta i kanë konfirmuar Prive By Liberta Spahiu se kjo video muzikore nuk do të jetë një paraqitje e zakonshme.
Mësohet se dyshja do të vijë me skena shumë “hot” dhe tejet sensuale, duke shfrytëzuar kiminë e tyre për të sjellë një emocion të vërtetë vizual. Tani mbetet vetëm të presim momentin e publikimit për të parë rezultatin përfundimtar të këtij bashkëpunimi.









