Hajdari mohonte se e njihte Muharremin, por kishin grup në WhatsApp për Rezervat Shtetërore

Ish-ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari pas shpërthimit të skandalit për Rezervat Shtetërore në vitin 2023 kishte deklaruar se nuk e kishte njohur Ridvan Muharremin dhe kishte mohuar se ai kishte lidhje me kontratat për rezervat, mirëpo në komunikimet e WhatsAppit, të cilat i ka siguruar ekskluzivisht Paparaci, e përgënjeshtrojnë Hajdarin për lidhjet që kishte me sekserin Muharremi.

“Unë nuk isha lëshu në nivel që të komentojë deklaratat e avokatit të Muharremit. Ato janë në kundërshtim me realitetin. E përmenda që pala, Muharremi, nuk kanë pasur autorizim nga MINT përpos lehtësim në gjetjen e kontakteve. MINT e theksoj që ka provuar dhe ka kontaktuar të gjitha mundësitë që i ka pasur në atë kohë”, kishte thenë ajo më 13 shtator të vitit 2023 për Tëvë1.

“Në asnjë kontrata nuk është emri i Muharremit. Nuk e kam njohur Muharremin, si ministre unë jam ministre e qasshme për shumë operatorë në ngjarje të ndryshme. Në temën e transportit askund nuk është Muharremi. Asnjëherë s’ka folur kryeministri për të”, kishte shtuar ajo.

Komunikimet e siguruara nga telefoni i ish-ministres së Tregtisë, Rozeta Hajdari, zbulojnë biseda të shpeshta të saj me sekserin Ridvan Muharremi dhe dy zyrtarët e Ministrisë, Irfan Lipovicën e Hafiz Garën, për procesin e blerjes së rezervave shtetërore.

Dosja ishte e klasifikuar si sekret shtetëror me vendim të Qeverisë së Kosovës, në një mbledhje të zhvilluar në shkurt të vitit 2022.

Por, komunikimet tregojnë se sekreti i shtetit kryhej në platformën WhatsApp, mes katër personave që, sipas dosjes së Prokurorisë Speciale, nuk posedonin as certifikata sigurie.

Bisedat e plota, të cilat i ka siguruar Paparaci, ishin zhvilluar mes muajve mars dhe qershor të vitit 2022.

Kjo është hera e parë që zbulohet në detaje sesi Ridvan Muharremi, një sipërmarrës i afërt me pushtetin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe me kryeministrin Albin Kurti, ka luajtur rol kyç në skandalin e Rezervave Shtetërore.

Komunikimet dëshmojnë se pronari i restorantit “Bukë e Zemër” në Prishtinë, nuk ishte thjesht një sekser periferik. Ai ka koordinuar tërë procesin, ka kontaktuar operatorët ekonomikë, është marrë edhe me detajet e transportit dhe deponimit të rezervës shtetërore.

Prokuroria i akuzon Hajdarin dhe dy zyrtarët e MINT-it se i shkaktuar rreth tre milionë euro dëme buxhetit të shtetit me rastin e blerjes së mallit për rezervat shtetërore. Ata akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe zbulim të fshehtësisë.

Paparaci kishte raportuar vitin e kaluar për aktakuzën e ngritur ndaj tyre. Por komunikimet e siguruara tani japin për herë të parë pamjen direkte të mënyrës sesi zhvillohej procesi – jo në zyrat e shtetit, por në një grup WhatsApp-i.