Zjarr i madh në Dolak, përfshihet nga flakët shtëpia e familjes Pllana

Një incident i rëndë ka ndodhur në orët e vona të natës në fshatin Dolak të Vushtrrisë, ku një zjarr ka përfshirë shtëpinë e Driton Pllanës, djalit të martirit Sabri Hashim Pllana.

Pas kësaj, familja Pllana është përballur me dëme të konsiderueshme materiale.

Sipas banorëve të zonës, prej një kohe të gjatë janë ngritur ankesa lidhur me problemet në rrjetin elektrik të lagjes. Ata pretendojnë se kanë kërkuar vazhdimisht ndërhyrje nga institucionet dhe ekipet përgjegjëse, të cilat, sipas tyre, kanë evidentuar probleme teknike gjatë inspektimeve në terren.

Banorët thonë se shqetësimet e tyre nuk janë trajtuar me seriozitetin e duhur dhe kërkojnë që rasti të hetohet deri në fund për të sqaruar shkakun e zjarrit.

“Nëse paralajmërimet e qytetarëve do të trajtoheshin me kohë, pasojat do të mund të shmangeshin. Dëmet nuk janë vetëm materiale, por prekin drejtpërdrejt jetën e familjeve”, thuhet në reagimet e bëra publike.

Deri tani nuk ka një version zyrtar mbi shkaqet e incidentit, ndërsa pritet që autoritetet kompetente të dalin me informacione shtesë pas hetimeve.