Guardiola tek Italia, finalja e Champions-it, favoriti i Botërorit…; analiza e Pirlos “skanon” gjithçka

Andrea Pirlo ishte mjeshtër me topin. Ishte kampion bote me Italinë më 2006 dhe fitues i Champions League me Milanin më 2003 dhe 2007. “MARCA” arriti ta intervistonte në prag të finales së Champions-it, PSG-Arsenal. Aktualisht, ai stërvit United FC të Emirateve.

Çfarë perspektive keni për këtë finale të Champions-it?
Mendoj se do të jetë një finale e bukur, me dy ekipe të reja që përpiqen të luajnë futboll të mirë dhe dy trajnerë të jashtëzakonshëm. PSG është më favorit, sepse është më i mësuar me këto finale, por një finale gjithmonë ka parashikim të vështirë.

A ju pëlqen stili i Artetës tek Arsenali?
Po, më pëlqen sepse nuk është vetëm të shohësh goditje nga këndi dhe krosime në zonë. Prej disa vitesh ai ka krijuar mënyrën e tij të veçantë të lojës, duke përfshirë këtë mënyrë specifike për të shfrytëzuar goditjet nga këndi. Ai e studion gjithçka në maksimum dhe ka shumë talent. Ka meritë të madhe për fitimin e Premier League dhe arritjen në këtë finale.

A e konsideroni një futboll shumë laboratorik dhe pak jo imagjinativ?
Nuk e mendoj kështu. Besoj se i bashkon të dyja gjërat. Është një futboll shumë kolektiv, megjithëse PSG ka lojtarë që individualisht mund të vendosin më shumë ndeshje. Arsenali duhet të jetë shumë mirë kolektivisht dhe më pas të shfrytëzojë çdo situatë të topave të ndalur. Përveç kësaj, dy qendërmbrojtësit e tij janë shumë të fortë dhe kjo i jep shumë stabilitet ekipit.

Si e shihni përballjen mes dy ‘playmaker’ të ekipeve?
Skuadrat kanë lojtarë shumë të ndryshëm. Ndoshta Vitinha është ndryshe nga Rice. Pastaj është Odegaard, krejtësisht ndryshe, shumë i ndryshëm nga Fabián Ruiz, për shembull. Shoh dy mesfusha shumë të forta.

Si e vlerësoni figurën e Luis Enrique?
Ka disa vite që është një nga trajnerët më të mirë në botë për atë që bëri te Barça dhe për atë që po bën tani në Paris, diçka e jashtëzakonshme. Nga Parisi u larguan të gjitha yjet dhe ai ka krijuar një lojë të madhe me lojtarë që vrapojnë mbrapa dhe përpara. Ekipi luan atë që kërkon Luis Enrique dhe kjo me shumë meritë.

A shihni një finale me kontroll loje apo me ritëm të lartë “vajtje-ardhje”?
Mendoj se do të jetë një finale me lojë shumë të kontrolluar. Janë dy ekipe që pëlqejnë të sulmojnë, por gjithashtu nuk pësojnë lehtë gola. Do të varet shumë nga kush shënon i pari. Kjo mund ta ndryshojë fatin e ndeshjes. Shpresojmë që për spektatorin neutral të jetë një finale shumë e bukur.

Cili është parashikimi juaj për Botërorin?
Shoh tre favoritë; Francën, Spanjën dhe Portugalinë. Franca mendoj se ka gjëra të ndryshme nga të tjerët. Dhe pastaj mund të ketë ndonjë surprizë, si gjithmonë.

Pra, Francën e shihni më të fortë se Spanjën?
Epo, Franca ka kaq shumë lojtarë yje… Madje ka lënë jashtë emra shumë të vlefshëm. Gjithsesi, në një Botëror, të gjithë duhet të jenë mirë, në formën e duhur, të kenë fat… Ka shumë faktorë në një Kupë Bote.

Keni përmendur Portugalinë, por ky vend nuk ka fituar kurrë një Botëror…
Po, e shoh si kandidate sepse ka shumë lojtarë cilësorë. Më parë ishte një kombëtare shumë e re ose pa përvojë, por prej disa vitesh luajnë së bashku dhe mendoj se kanë përvojë në klube të mëdha… Mund të jetë Botërori i tyre.

Si do ta përkufizonit mesfushën e Spanjës?
Për mua, Pedri është një nga lojtarët më argëtues për t’u parë. Ka shumë cilësi, vizion loje dhe qetësi. Me pak fjalë, ka shumë klas.

A mësohet njeriu ta shohë Italinë jashtë Botërorit pas tri edicioneve pa u kualifikuar?
Nuk është më një risi. Ndodh prej shumë kohësh dhe populli italian është mjaft i trishtuar për këtë. Një Kupë Bote sjell shumë gjëra pozitive për një vend: gëzim, përjetim së bashku… Italia nuk do të jetë sërish edhe këtë vit.

Përflitet se Pep Guardiola mund të bëhet trajneri i Italisë. A do t’ju pëlqente kjo mundësi?
Uroj që po. Do të ishte diçka shumë e mirë për gjithë futbollin italian. Shpresojmë të jetë të paktën një mundësi. Fakti që nuk është italian nuk është aq i rëndësishëm, sepse kjo ndodh edhe në vende të tjera si Brazili me Carlo Ancelottin apo Tuchel në Angli. Nuk e shoh si problem.

A ju ka befasuar rendimenti i Cesc Fàbregas te Como?
Bëri shumë mirë në Serie B, u ngjit me lart dhe tani ka arritur në Champions. Kjo Como është meritë e tij. Zgjedhja e lojtarëve ka qenë e tij, edhe stili i lojës. Është kënaqësi ta shohësh këtë Como dhe dua ta përgëzoj Cesc nga këtu.

Po flitet për trajnerin spanjoll Andoni Iraola për Milanin, ju pëlqen?
Më pëlqen sepse me Andoni kam pasur mundësinë të luaj së bashku në New York, në MLS. Jam i lumtur për sezonin që ka bërë në Premier League dhe nëse shkon te Milani do të jem shumë i lumtur për të dhe ekipin.

 

The post Guardiola tek Italia, finalja e Champions-it, favoriti i Botërorit…; analiza e Pirlos “skanon” gjithçka appeared first on Telesport.