7 raste të dhunës në familje, ditën e parë të Bajramit

Policia e Kosovës ka raportuar statistika shqetësuese që lidhen me rastet e dhunës në familje.

Vetëm gjatë ditës së djeshme, në familjet e Kosovës janë evidentuar 7 raste të dhunës.

Rastet u identifikuan kryesisht në rrafshin e Dukagjinit, me tri raste në Pejë, një në Rahovec, një në Gjakovë, një në Deçan e një në Istog.

Në orët e para të ditës së djeshme, në Pejë u arrestua një mashkull, i dyshuar për sulm fizik ndaj një viktime.

“Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje” thuhet në njoftimin e policisë.

Rreth orës 11:00, po në Pejë, një grua ka kërkuar ndihmë mjekësore, pasi dyshohet se bashkëshorti i ka shkaktuar dhunë fizike dhe psikike. I dyshuari është shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës.

Edhe pasditja u shoqërua me një rast të iniciuar si “Dhunë ën familje”, me një burrë që dyshohet se, në gjendje të dehur, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj gruas.

“Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje” deklaron Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë.

Në Rahovec, një grua dhe një burrë kanë përfunduar në stacion policor, pasi ky i fudnit dyshohet të ketë ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj viktimës. Palët u intervistuan dhe, me vendim të prokurorit, u liruan në procedurë të rregullt.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që në gjendje të dehur dyshohet se ka sulmuar fizikisht viktimë femër kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje” deklaron policia, për rastin në Gjakovë.

Në Istog, një burrë u arrestua pasi dyshohet se ushtroi dhunë psikike ndaj familjares. Palët u intervistuan, për t’u liruar më pas në procedurë të rregullt.

Ndërkaq, në Deçan, një burrë dhe një grua u arrestuan, pasi dyshohet të kenë ushtruar dhunë fizike ndaj një gruaje dhe një burri tjetër.

“Njëri nga viktimat ka pësuar lëndime dhe ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt” deklaron policia.