Vala e të nxehtit në Europë e parë nga sateliti

Imazhi satelitor i publikuar nga Agjencia Evropiane e Hapësirës (ESA), tregon valën e të nxehtit i cili tregon temperaturat ditore të sipërfaqes së Tokës.

Situata i ngjan asaj verore, ku temperaturat e sipërfaqes mund të jenë dukshëm më të larta se temperatura e ajrit, pasi sipërfaqe si shkëmbinjtë dhe toka e ruajnë nxehtësinë.

Imazhi është marrë nga sateliti Sentinel-3, mision që është pjesë e programit Copernicus të ESA-s dhe Komisionit Evropian, i aftë të mbledhë të dhëna mbi temperaturën e sipërfaqes së Tokës dhe të detit.

Mbi kontinente, ai mund të monitorojë temperaturat sipërfaqësore të tokës dhe përdoret gjithashtu për të ndjekur zjarret në pyje, për të hartëzuar përdorimin e tokës dhe gjendjen e vegjetacionit, si dhe për të matur nivelin e lumenjve dhe liqeneve.

Në imazh, zonat më të nxehta të shënuara me të kuqe ndodhen në Spanjë, në disa pjesë të Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe në Evropën Lindore. Një zonë e gjerë e kuqe shfaqet edhe mbi Italinë, veçanërisht në Luginën e Po-së dhe në disa zona të Lazios, Campania, Pulias, Siçilisë dhe Sardenjës.

Valët e të nxehtit në Evropë po bëhen më të hershme
Valët e të nxehtit që prekin Evropën, si ajo aktuale, po shfaqen gjithnjë e më herët, duke e sjellë klimën tipike verore që në fund të pranverës. Episodi i parë i tillë në historinë e afërt daton në vitin 2003, vit simbol i verave ekstreme, kur temperaturat e pazakonta të majit paraprinë rekordet e mëvonshme: që në mesin e muajit u regjistruan mbi 30°C, ndërsa kulmi u arrit në fillim të gushtit me rekorde të shumta në qytete të ndryshme evropiane. Në Itali, temperaturat maksimale qëndruan për javë të tëra rreth 40°C.

Që atëherë, Evropa ka përjetuar edhe 7–8 episode të tjera të verës së hershme, si ato të viteve 2007 dhe 2022, ndër më intensivët. Rasti më i fundit ishte në vitin 2025, kur një fund maj i nxehtë goditi Evropën Perëndimore, sidomos Spanjën, ku temperaturat tejkaluan me rreth 10 gradë mesataren sezonale.

Edhe pse ndodhin në fund të pranverës, këto valë të nxehti shkaktohen nga i njëjti mekanizëm si në verë: një sistem i qëndrueshëm me presion të lartë që bllokon reshjet dhe mban nxehtësinë të “izoluar”. “Është skema tipike e valëve të të nxehtit veror”, shpjegon për ANSA Lorenzo Giovannini, fizikan i atmosferës në Universitetin e Trentos.

“Për fundin e majit është e pazakontë, por ndodh herë pas here. Masa e ajrit të nxehtë ka ardhur nga Afrika e Veriut, veçanërisht nga Maroku, dhe për këtë arsye më të goditura kanë qenë Europa Perëndimore si Spanja, Portugalia, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar. Italia është prekur vetëm pjesërisht, kryesisht në veri.”

Fenomeni ka sjellë temperatura shumë të larta jo vetëm në maksimumet ditore, por edhe në minimumet, me devijime që në disa zona kanë arritur 12–14 gradë mbi mesataren. Shumë stacione meteorologjike në Francë dhe në Anglinë jugore kanë regjistruar rekorde për muajin maj. Madje janë shënuar edhe “net tropikale”, me temperatura mbi 20°C gjatë natës.

“Për majin, temperatura minimale mbi 20°C është mjaft e rrallë”, thekson eksperti, duke shtuar se edhe niveli i ngrirjes atmosferike është shumë i lartë në këto ditë.

Megjithatë, ngrohja globale po e forcon këtë fenomen.

“Është e vështirë të lidhësh një episod të vetëm me ndryshimet klimatike, por temperaturat më të larta i bëjnë valët e të nxehtit më të shpeshta dhe më intensive”, shton ai.

Në ditët në vijim, presioni i lartë pritet të zhvendoset, por i nxehti do të vazhdojë të ndihet. “Po vjen ajër më i freskët nga verilindja që mund të sjellë disa stuhi lokale”, përfundon Giovannini. “Në Itali anticikloni do të dobësohet gradualisht, por temperaturat do të mbeten mbi mesataren.” /ANSA/