Hamza i ashpër me Kurtin: Buxheti po përdoret për blerje të votës

Mbrëmë, qeveria në detyrë e Kosovës, njoftoi se ka “ndarë mjete buxhetore në shumë prej 2,000,000.00 € (dy milionë euro), për zbatimin e Masës 4.5 ‘Mbështetja e Mërgatës’ të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, për mbështetjen e linjave të fluturimit për destinacionet që shërbejnë mërgatën tonë”.

Duke u përballur me reagime të mëdha nga shoqëria civile dhe partitë që ishin në opozitë, reagoi edhe vetë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili tha se ky vendim u mor për mërgatën që të mund t’i bëjë pushimet verore në Kosovë, shkaku i shtrenjtimit të kerozinës.

E Bedri Hamza, kryetar i PDK-së dhe kandidat për kryeministër për zgjedhjet e 7 qershorit, në DPT te Fidani në Klan Kosova, tha se buxheti i shtetit, nga LVV-ja po përdoret për blerje votash.

“Inflacioni është vetëm një element. Nëse e shikon shpenzimin e buxhetit, thënë të drejtën, buxheti është duke u abuzuar e duke u përdorur edhe për blerje të votës. Po, po, paraja publike është duke u përdorur për blerje të votës”, tha Hamza.

Ai shtoi se ekonomia të zhvillohet, vendi duhet të zhvillojë kapacitete të reja energjetike sepse aty aktivizohet ekonomia.

“Me paratë që janë shpenzuar për 5 vjetët e fundit, kemi mundur ta bëjmë një termoelektranë të mirë, edhe me financim të jashtëm, edhe me sektor privat, veç u deshtë me ditë dhe me dashtë. Ne kemi refuzuar termoelektranën, e kemi refuzuar atë të gazit, nuk kemi kapacitete të reja energjetike”, deklaroi kreu i PDK-së.