Valverde i rikthehet “kacafytjes” me Tchouaméni: Do të më ndihmojë të jem kapiten më i mirë

Federico Valverde ka folur sërish për episodin e tensionuar që tronditi dhomat e zhveshjes te Real Madridi. Mesfushori uruguajan, kapiteni i madrilenëve, përdori tone pajtuese për konfliktin me Tchouaméni: “Kam ndier mbështetjen e tifozëve dhe klubit. Në futboll dhe në jetë ekzistojnë momente të vështira, që të ndihmojnë të rritesh dhe piqesh. Përvoja të tilla do të më ndihmojnë të bëhem një kapiten më i mirë në të ardhmen”.

Deklaratat vijnë pas javësh tensioni te Real Madridi, që mbylli një sezon zhgënjyes pa trofe. Sipas mediave spanjolle, përplasja mes dy mesfushorëve nisi gjatë një stërvitjeje, pas ndërhyrjes së ashpër të Tchouaméni ndaj Valverde. Situata më pas u përkeqësua në dhomat e zhveshjes me debat verbal dhe fizik.

Disa raportime madje pretenduan se Valverde humbi ndjenjat dhe përfundoi në spital, por uruguajani publikoi më vonë një reagim në rrjetet sociale duke mohuar çdo agresion fizik nga bashkëlojtari dhe kërkuar mbylljen e çështjes. Tani Valverde synon të përqendrohet vetëm te Kupa e Botës, ku do të udhëheqë Uruguajin.

The post Valverde i rikthehet “kacafytjes” me Tchouaméni: Do të më ndihmojë të jem kapiten më i mirë appeared first on Telesport.