Burri nga Kosova arrestohet në Ulqin, dyshohet se vrau gruan me të cilën ishte në lidhje

Një shtetas i Kosovës është arrestuar në Ulqin, pasi që dyshohet se mbrëmë ka vrarë bashkëshorten e tij jashtëmartesore.

Siç raportojnë mediat malazeze, bëhet fjalë për 46 vjeçarin Bashkim Gashi. I dyshuari pas aktit i ka vënë zjarrin edhe shtëpisë ku jetonin.

Sipas raportimeve në mediat malazeze, ai ka pësuar lëndime nga zjarri dhe është dërguar fillimisht në Spitalin e Përgjithshëm në Bar për trajtim mjekësor, e më pas në Qendrën Klinike të Malit të Zi në Podgoricë, njofton policia.

Policia ka bërë të ditur se për një kohë shumë të shkurtër ka identifikuar dhe vënë nën kontroll personin e dyshuar për kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë”, në dëm të gruas me të cilën kishte lidhje, si dhe për zjarrvënie në vendngjarje, në shtëpinë ku jetonin së bashku, në lagjen Kodre të Ulqinit.

“Rreth orës 00:30, në Departamentin e Sigurisë në Ulqin është raportuar se kishte shpërthyer zjarr në një objekt banimi në lagjen Kodre. Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku është gjetur trupi i pajetë i një personi të panjohur, i cili më vonë është identifikuar si D.N. (36), shtetase e Shqipërisë, thuhet në njoftim.
Thuhet se policia ka gjetur dhe ka vënë nën kontroll një person tjetër me lëndime të shkaktuara nga zjarri, i cili më vonë është identifikuar si Gashi.

Për rastin është njoftuar prokurori i shtetit në Prokurorinë e Lartë në Podgoricë. Policia, në koordinim me prokurorin kompetent, ka ndërmarrë të gjitha masat për zbardhjen e ngjarjes, ka mbledhur informacione nga disa persona dhe ka sekuestruar pamje nga kamerat e sigurisë, si dhe prova materiale nga vendi i ngjarjes që do të ekspertizohen.

Masat e deritanishme policore dhe prokuroriale sugjerojnë dyshimin se B.G. ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë”, ka vënë zjarr në vendin e ngjarjes dhe është larguar nga vendi i ngjarjes, thuhet në njoftimin e policisë.

Hetimi në vendngjarje është kryer nga prokurori kompetent i Prokurorisë së Lartë në Podgoricë, me pjesëmarrjen e policisë dhe në prani të ekspertit përkatës. Prokurori i shtetit e ka kualifikuar veprën si “vrasje e rëndë”.